Një skandal çnjerëzor regjistrohet në shëndetësinë e Beqes, ndërsa të sëmurët me dializë nuk kurohen me Ketosteril, ilaçin jetik për shërimin e tyre por i nënshtrohen kurimit me një suplement ushqimor të ofruar nga kompania e mikut të Ministrit të Shëndetësisë. Deputetja demokrate, Albana Vokshi reagoi dje pas deklaratave të Ramës mbi gjoja sistemin funksional të shëndetësisë. Ajo denoncoi skandalin e rëndë të ketosterilit, zëvendësimit të ilaçit për të sëmurët me dializë me një suplement ushqimor të shitur nga miku i afërt i Ministrit Beqja. 400 mjekë të larguar për shkak të sistemit skandaloz shëndetësor të ndërtuar nga Rama, mungesë barnash për të gjithë pacientët, edhe për ata me sëmundje të rënda, pazare me koncesione e tendera në shëndetësi, por asnjë shërbim ndaj qytetarëve, jeta e të cilëve nga ky shërbim shëndetësor i ofruar sot është në rrezik. “Propaganda nuk mbulon dot biznesin tënd me shëndetin e shqiptarëve. Shpëtimi i një jete, shpëtimi i çdo jete (qoftë edhe me fytyrë të mbuluar) është gjithnjë një lajm i mirë… Sigurimi i barnave dhe kurave për pacientët është gjithashtu lajm shumë i mirë. Por kaq shumë kjo qeveri ka devijuar, sa edhe minimumin e detyrës dhe përgjegjësisë së saj, sigurimin e barnave, e shet si arritje e privilegj. Ky është minimumi i detyrimit, e jo arritje! Sot do të doja t’ju kisha falënderuar nëse do të kishit bërë të njëjtën gjë edhe për të sëmurët me tumor që nuk kanë asnjë mundësi të kurohen pasi barnat, kurat, pajisjet dhe së fundmi shtretërit mungojnë. Do e kisha përshëndetur listën e barnave të rimbursueshme 2016 nëse s’do e kishit ndryshuar, pasi doli zyrtarisht nga Fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve Shëndetësore dhe sikur të mos kishte qenë aq klientelist; sikur t’ju kishit siguruar ketosterilin të sëmurëve me dializë e të mos e kishit zëvendësuar me suplementet ushqimore që i importon miku i Beqes tënd. Do ju kisha uruar nëse do të kishit siguruar më së fundi kurat për qindra persona të prekur nga HIV/AIDS e që ju luten prej muajsh për shërim e shpëtim, që fati i tyre të mos jetë si i 6 pacientëve që humbën jetën pikërisht prej neglizhencës tënde”, u shpreh Vokshi. Duke sjellë të dhëna konkrete mbi sistemin skandaloz të shëndetësisë sot, ajo tha: “Do e falënderoja personalisht Kryeministrin nëse do të ndalonte talljen me gratë që kanë bërë prej dy vitesh mamografinë e nuk kanë ende një përgjigje. S’ka përgjigje se ministri po mbyll pazarin e radhës, ndërkohë shëndeti i tyre mund të jetë përkeqësuar deri në fatalitet. Do të kisha dashur shumë sot t’u falënderoj nëse sistemi i urgjencës polivalente të funksiononte në maternitete dhe jeta e Aidës me beben e saj 40 javëshe të ishte shpëtuar… Ju siguroj që komentet në postimin e video-propagandës tuaj do të ishin plot me urime nëse fondet e sektorit publik të mos ja kalonit klientëve e sponsorëve, por të kishit blerë aparate, barna, pajisje e të kishit rindërtuar e ndërtuar spitale e qendra shëndetësore me standarde europiane… Të 400 mjekët që janë larguar këto dy vite për një jetë më të mirë në vendet e BE do ju kishin falënderuar nëse do i kishit mbështetur dhe stimuluar me rritje rrogash dhe promovuar. Ju e patë vetë se çfarë mendojnë qytetarët për shëndetësinë tënde të këtyre 3 viteve, e ke në faqen tënde të propagandës. Çdokush e di se ka vetëm një zgjidhje, largimi yt sa më shpejt bashkë me skotën e hajdutëve që po bëni biznes me jetën”, tha Vokshi ndër të tjera.
Kryesore
Continue to the categoryRomeo Karaj: Basha sakrifikoi për PD-në dhe të djathtën, Berisha e...
Avokati Romeo Karaj duke folur për situatën në Partinë Demokratike në emisionit “3D” në RTSH, ka krahasuar liderët kryesorë të saj. Sipas tij, Lulzim...