Vrasja e Besnik Pudjas dy javë më parë në magazinën e hashashit në Shëngjergj të Tiranës dyshohet, se është porositur nga truproja i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Elvis Rexha. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një mesazh të mbërritur në adresë të tij nga një oficer policie, i cili hedh dyshime serioze se vrasja është kryer, ose është porositur nga Elvis Rexha, që është badiguardi dhe kryesekseri i ministrit Saimir Tahiri. Berisha shkruan se, të gjitha manipulimet, fshehjen dhe zhdukjen e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj me porosi të Saje qorrit dhe e raportoi si vetëvrasje.
“Oficeri dixhital hedh dyshime se: Dyshime tejet serioze ka hedhur në informacionin e tij se, badiguardi dhe kryesekseri i Saje qorrit, Elvis Rexha mund të jetë dhe ekzekutori ose porositësi i vrasjes së Besnik Pudjas. Elvis Rexha është kryesori i parcelave të kanabisit në malësinë e Shëngjergjit! Të gjitha manipulimet, fshehjen dhe zhdukjen e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranes, Ervin Hodaj me porosi të Saje qorrit. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë me përparësi implikimin direkt të Saje qorrit, sekserit të tij, Elvis Rexha dhe drejtorit Ervin Hoda, në këtë krim të shëmtuar dhe përpjekjen për të paraqitur ekzekutimin mafioz të Besnik Pudjas si vetëvrasje! sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Pëshëndetje doktor. Jam një oficer i Policisë në Komisariatin Nr. 4 në Tiranë. Ju bëj me dije se, Besnik Pudja personi që u gjet i vrarë në hangarët e hashashit në fshatin Kallogjesh në Shëngjergj është mik dhe lidhje e ngushtë e Elvis Rexhës, badigardit dhe sekserit më të ngushtë të Sajmir Tahirit dhe e di e gjithë zona. E gjithë vendngjarja dhe servirja e rrethanave të rreme për këtë ngjarje është bërë me porosi të drejtorit të Tiranës, Ervin Hodaj që të mos dalë e vërteta që mbas këtyre parcelave dhe kësaj ngjarje kaq të rëndë të mos dalë në dritë emri i Elvis Rexhës, që është kaq shumë i implikuar në atë zonë me parcelat e hashashit”, shkruan oficeri i policisë.
Hetimet: 36-vjeçari u vra në magazinën e hashashit
Grupi hetimor që po vazhdon hetimet për të zbardhur vrasjen e 36-vjeçarit Besnik Pudja në kapanonin e hashashit në fshatin Kollagjesh të Shëngjergjit ka dalë në konkluzionin se, kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje. Hetuesit thonë se, Pudja është qëlluar me pistoletë pas veshit dhe plumbi i ka dalë në sy. Njoftimi i policisë më 7 tetor, ditën edhe kur u gjet i pajetë Besnik Pudja ishte se, “shtetasi Besnik Pudja, 36 vjeç ka vrarë veten me pistoletë në një stan në Shëngjergj”, por mbi këtë ngjarje kanë dalë në pah mashtrimet e Policisë së Tiranës. Disa ditë pas ngjarjes në media të ndryshme tregoheshin fakte, që të çonin drejt një vrasjeje të pastër.
Ekspertiza hedh poshtë mashtrimin e policisë me fakte të reja, duke provuar se Pudja e ka marrë plumbin poshtë veshit të djathtë dhe i ka dalë në sy, për të goditur më pas shokun e tij, Alges Liçin. Trajektorja nuk përkon me atë që thotë policia. Edhe organi i akuzës ka nxjerrë zbuluar Policinë e Shtetit. Sipas Prokurorisë, Pudja është gjetur i shtrirë me fytyrën sipër, me duart e vëna pranë xhepave të xhupit. Gishti tregues i dorës së majtë i është gjetur i hapur në formë të harkuar, siç qëndron zakonisht në këmbëzën e një arme. Kjo, sipas ekspertëve, tregon se ai mund të ketë bërë qitje me dorën e majtë në momentin e vrasjes. Por plumbin ai e ka marrë në anën e djathtë, pas koke. Ekspertët thonë se është e pamundur që ai të ketë qëlluar me të majtën në anën e djathtë të kokës, pas veshit.
Por nuk mbaron këtu. Policia nuk raportoi për gëzhojat e kallashnikovit që janë gjetur në vendin ku u gjet i vrarë Besnik Pudja. Ngatërroi hambarin që përdorej për tharjen e hashashit me stanin, si edhe bimën narkotike që u gjet në këtë magazinë me delet. Ende policia vijon të raportojë se ishte një stan, por tashmë nga gazetarët u vërtetua që ishte një hambar. Edhe pse policia shkoi në vendngjarje pas vrasjes, nuk dihet ende pse ju desh të kalonte një javë dhe të asgjësonte parcelat me hashash që ndodheshin atje.
Zbulohen fotot e viktimës në hangarin e hashashit
Dje, janë publikuar edhe fotot e 36-vjeçarit Besnik Pudja, foto të bëra nga policia, kur ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Në këto foto, Besnik Pudja shihet i shtrirë përtokë me fytyrën sipër, me duart e vëna pranë xhepave të xhupit. Gishti tregues i dorës së majtë është në formë të harkuar, siç qëndron zakonisht në këmbëzën e një arme. Kjo, sipas ekspertëve, tregon se ai ka bërë qitje me dorën e majtë pak çaste përpara se të ndërronte jetë. Pranë tij, mes këmbëve, është gjetur një pistoletë “TT”.
Policia vijon të japë informacion të rremë në lidhje me ngjarjen. Raportoi se arrestoi dy personat që ishin në dijeni për ngjarjen ku më pas u akuzuan për moskallëzim të krimit. Por harroi të thoshte që dy të rinjtë, Alges Liçi dhe Dritan Buzo u vetëdorëzuan në Komisariatin Nr. 4. Të gjitha këto fakte, tregojnë që policia ka fshehur të vërtetën.
R.POLISI