Milazim KRASNIQI
1. Problemi Kosovë-Serbi nuk është një shou medial kryeministrash, po një gjendje lufte e ngrirë. E ka ngrirë Marrëveshja e Kumanovës, por Serbia thotë se do të kthehet në Kosovë me dhunë. E përsëriti edhe këto ditë i pari i Serbisë “qiellore”, patriarku Irinej. Edhe Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi, na kërcënohet çdo ditë. Vuqiqi përjetoi shkulme histerike, kur e përmendi Trepçën. Daqiqi edhe në Këshillin e Sigurimit bën krahasime ndërmjet Kosovës e ISIS-it. Prandaj, gjendja realisht është alarmante, sepse është një agresion permanent i Serbisë në drejtim të Kosovës. Si e tillë, gjendja vërtet nuk e meriton të paketohet si shou medial, ashtu si e paketon Edi Rama. Por, ai e paketon ashtu, sepse Shqipëria nuk ka mendim të përpunuar në pajtim me interesat strategjike kombëtare, as për këtë çështje. Shou me kollare me gjeste teatrale, nuk e zëvendëson mendimin.
2. Edi Rama një herë ka pasur sukses në prezentimin e çështjes shqiptare si një shou. Ndeshja Serbi-Shqipëri i ka shërbyer që krizën shqiptaro-serbe, që është një kontekst për tokë, ta paraqesë si një mosmarrëveshjeje për një ndeshje futbolli. Presidenti Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karaxhiqi, ka pohuar këto ditë se droni ishte hedhur në stadumin e Beogradit me dijeni të segmenteve serbe të pushtetit. Pra, ka qenë lojë shërbimesh, për ta zhvendsour kontestin shqiptaro-serb nga një gjendje e ngrirë lufte në një rivalitet tifozash të futbollit dhe më tutje në një shou medial.
3. Deri sa Edi Rama bënte shou në Beograd, ndërsa qeveria e Vuçiqit ia mban të bllokuar interkoneksionin 400 kilovoltësh ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, duke u shkaktuar dëme të rënda. Kjo çështje do të duhej të ishte tema e Edi Ramës në bisedimet me mikun e tij në Beograd. Rama do të duhej ta bënte këtë gjë, nëse për asgjë tjetër, së paku për vetërespekt, sepse ai (bashkë me Isa Mustafën) e ka përuruar atë objekt me shumë potere, ndërsa Vuçiqi ia mban të bllokuar, thjesht dhe vetëm për ta ndrequr humorin e vet.
4. Edi Rama nuk do të duhej të harronte gjatë vizitës së tij në Serbi se është kryeministër edhe i atyre femrave fatmjera shqiptare, që blihen me para për martesa në Serbi. Dhe të ulte kryet e të ndihej në siklet nga fatkeqësia e shtetaseve të tij që shtrëngohen të bëjmë këso martesash të panatyrshme.
5. Disa kolegët tanët opinionistë në Shqipëri reagojnë të çuditur nga reagimet tona ndaj sjelljeve skandaloze të Edi Ramës në Beograd e në Nish, në raport me Kosovën. Nuk arrij ta kuptoj a shtiren të çuditur, për t’i hyrë në qejf Ramës, apo vërtet janë kaq të pandjeshëm ndaj realitetit. Më e ulëta prej tyre është kur shtiren si njohës të Kosovës, pa qenë të tillë. Shpërndajnë etiketa, receta, kumte, munxa, si fallxhorë. Në këtë pikë bashkohen me kryeministrin e tyre.
6. Duhet të jetë e qartë: kjo ngjarje e pakëndshme nuk e rishkruan historinë e Shqipërisë e Kosovës, as nuk e ndryshon drejtimin historik që kanë këto dy shtete të një kombi unik. Ideali për një proces shumëplanësh të negocuar bashkimi ndërmjet Shqipërisë e Kosovës mbetet i pacënuar. Por, për gjenerata të tjera. Për të satën herë u vërtetua nga vizita e Ramës në Serbi se këto elita nuk janë në nivelin e idealeve të kombit tonë. Nga ky aspekt, Edi Rama është lideri më domethënës i një elite të konsumuar e të falimentuar.