Bankat private kanë shtrënguar sërish kredidhënien për biznesin për shkak se perceptojnë një situatë të vështirë ekonomike, por edhe druhen nga rritja e kredive të këqija. Në vrojtimin e fundit të aktivitetit kreditues, Banka e Shqipërisë raporton se standardet e kredisë janë shtrënguar veçanërisht për bizneset e mëdha, ato të cilat mbajnë peshën kryesore të investimeve në ekonomi. “Faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, faktorët që lidhen me problemet specifike të sektorit, dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike,” deklaroi BSH.
Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar si për investime ashtu edhe për kapital qarkullues. Ndërkohë, nëse për biznesin kredidhënia vazhdon të shtrëngohet, e kundërta ndodh me individët. Sipas BSH, në këtë segment bankat kanë qenë më dorëlëshuara dhe i kanë lehtësuar kushtet e kredidhënies. “Konkurrenca në tregun bankar, niveli i likuiditetit të bankave dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë janë ndër faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë individëve” thuhet në njoftim
“Politika shtrënguese e bankave ndaj kredive për biznesin u zbatua nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral,” – vëren Banka e Shqipërisë. Por faktori më shqetësues i vrojtimit lidhet me pritshmëritë negative për të ardhmen. “Një prirje e ngjashme (shtrënguese) pritet të vijojë edhe në tremujorin e katërt të vitit 2016 për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa pritet lehtësim i standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” thuhet në vrojtim.
Kredia për ekonominë u rikthye në stanjacion gjatë muajit gusht, teksa rritja krahasuar me një vit më parë zbriti në vetëm 0.1 për qind. Të dhënat statistikore nga Banka e Shqipërisë tregojnë se stoku total i kredisë që bankat kanë dhënë për biznesin dhe individët arriti në 550.5 miliardë lekë në gusht nga 549.9 që ishte në gushtin e një viti më parë.