Mungon ndaj Steauas, dëmtimi i Armando Sadikut gëzon rumunët

Armando Sadiku është kthyer në makth për rumunët me golin që i realizoi përfaqësueses ballkanase në finalet e “Euro 2016”. Që pas mbrëmjes të 19 qershorit, ku në stadiumin e Lionit sulmuesi shqiptar hyri në histori si golashënuesi i parë i kuqezinjve në një event madhor, emri i 25-vjeçarit shfaqet shpesh në mediat rumune.
“Armando Sadiku, makthi i Rumanisë në Europian do të mungojë ndaj Steauas së Bukureshtit në Europa League”. Ky është titulli i i përzgjedhur nga portali “Sport Total”, që e konsideron një lajm shumë të mirë për Steauan faktin që kjo skuadër nuk do të ketë përballë sulmuesin kryesor të Zyrihut në raundin e tretë të ndeshjeve në grupe në kompeticionin europian.
Sadiku, shpjegojnë më tej mediat rumune, mungoi edhe me Shqipërinë në dy ndeshjet eliminatore të Botërorit “Rusi 2018” ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës dhe është ende herët që ia të kthehet në fushë.
Në takimin e parë në Grupin L përballë Villarealit, Sadiku realizoi golin e vetëm të Zyrihut në humbjen 2-1 në El Madrigal, ndërsa në fitoren 2-1 me turqit e Osmanlispor nuk ishte i grumbulluar. Steauas i duhet patjetër fitorja në Bukuresht ndaj zviceranëve nëse dëshiron të jetë në garë për një nga dy vendet e para në grup, pasi aktualisht renditet e fundit me vetëm 1 pikë.

Artikulli paraprakOSBE: Të forcohet lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore
Artikulli tjetërKarlos më shpëtoi