Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka denoncuar dje gjendjen skandaloze ku është katandisur sistemin shëndetësor sot. Përmes një deklarate për mediat Vokshi renditi të dhëna tronditëse që dëshmojnë mungesën thelbësore të shërbimeve dhe medikamenteve me të cilat duhet të mjekohen pacientët me kancer. “Situata e shëndetësisë, e spitaleve është tejet dramatike. Në çdo pavijon ka mungesa bazike, por më e rëndë është gjendja tek onkologjiku ku trajtohen të sëmurët me kancer. Sot, po denoncojmë mashtrimin e radhës me buxhetin e investimeve për aparaturat e kimioterapisë. Në pavijonin e onkologjikut, radha për mjekimin e jetës është shkak i korrupsionit. Teksa Ilir Beqaj me Edi Ramën kanë tenderuar mbi 300 milionë euro, duke i ndarë me miq e klientë, tek onkologjiku;
– Prej muajsh nuk funksionon siç duhet asnjëra nga aparaturat e kobaltit, ndërkohë akseleratori lineat, financim i qeverisë demokratike, ende nuk është vënë në funksionim pavarësisht se u inaugurua nga Kryeministri në ditën ndërkombëtare të luftës ndaj kancerit.
– Kobalti i vetëm që punon ka punuar për muaj të tërë dhe është kthyer në rrezik rrezatimi të dëmshëm, pasi ka 8 vite pa u ndërruar. Nga 3-4 minuta që duhet të jetë, vizita zgjat mbi 8 minuta, efektet kuruese në thellësi i ka minimale dhe djegia në sipërfaqe është e madhe dhe rrezikon organet afër rrezatimit. Por ajo çka e bën edhe më skandaloze është fakti që pacientët nuk njoftohen e nuk paralajmërohen për efektet negative të përdorimit tek ta të pajisjeve të kobaltit…
– Kyriterapia për femrat, që trajton tumoret vaginale, ka 2 vjet që nuk punon.
– Janë rreth 300 pacientë në ditë që shkojnë aty për të gjetur shpëtim, por të cilëve ju ofrohet falas vetëm vuajtje e dëshpërim . . . e asnjë shërbim jetik.
– Mungojnë ilaçet bazë si: 5 FLU, Taxoter, Doxyrubicine, etj. Ndërkohë që siç edhe e kemi denoncuar, në treg qarkullojnë barna kontrabandë që kanë hyrë nga vendet fqinje e që në shumë raste janë vetëm për përdorim spitalor.
– Pacientët presin me orë e ka raste edhe ditë të tëra në mungesë kapacitetesh e shtretërish. Shumë kthehen andej nga kanë ardhur pa marrë as kurë e as mjekim. Shumë pacientë referohen te privatët” tha Vokshi ndërsa bëri të ditur të dhënat konkrete.
Kjo pra, është gjendja katastrofale me shëndetësinë me spitalet. Ajo denoncoi se ndërsa situata në spitale paraqitet alarmante, Edi Rama e Ilir Beqaj vazhdojnë të krekosen, të mburren e të mendojnë se si të ndajnë miliona euro të tjera me miqtë e tyre. “Ndërkohë që Rama pretendon që 120 milionë euro të dhëna mikeshës dhe sponsores së tij mund të shpëtojnë 450 pacientë në 10 vjet…vetëm nga moskurimi i pacientëve me sëmundje të rënda mund të humbin jetën qindra qytetarë në vit…Ne nuk do të ndalemi në denoncimet e korrupsionit me fondet për shëndetin e popullatës, duke i bërë thirrje Prokurorisë të përparojë në hetime, pasi bilanci i krimeve në shëndetësi po kthehet në bilanc lufte. Ftoj publikun, median dhe trupën mjekësore të na bashkohet, për të ndalur këtë sjellje antihumane që po merr jetë çdo sekondë në Shqipëri” u shpreh Vokshi ndër të tjera.