Deputeti demokrat, Flamur Noka deklaron se situata me trafikun e drogës është dramatike, ndërsa denoncon lidhjet e forta të policisë dhe pushtetit me narkotrafikun, si pasojë e të cilit në vetëm 2 muaj 7 persona janë ekzekutuar.
– Zoti Noka, si e konsideroni deklaratën e ministrit Manjani për mobilizimin e ushtrisë?
Unë dua ta përshëndes deklaratën e ministrit sepse përpos faktit që ai pranon kanabizimin e vendit kërkon ose rekomandon një mënyrë për të dalë nga kjo situatë. Deklarata e Manjanit pasqyron realitetin. A duhet të ndërhyjë ushtria apo jo? Nuk zgjidhet gjithçka me ushtri. Ushtria duhet të ndërhynte pak më parë, por nuk zgjidh çdo gjë ndërhyrja e ushtrisë. Sepse kjo çështje nuk është thjesht se u ka dalë jashtë kontrollit institucioneve qeveritare, ose konkretisht Policisë së Shtetit. Këta janë organizuesit e gjithçkaje që sot quhet kanabizim dhe vendi do të marrë emrin një term që quhet “kanabista”, nuk është më Shqipëri. Nuk e zgjidh ushtria sepse është vullnet politik. Është alarmante dhe e frikshme të mendosh që kjo qeveri ka gjetur si zgjidhje për të zbutur varfërinë drogën. E them këtë sepse nga të gjitha informacionet që ka opozita të gjitha grupet kriminale kanë lidhje të mirëfillta policore dhe politike. Si çdo grup kriminal 30-40% shkon tek një drejtues policie deri tek ministri. Këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe mediat ndërkombëtare. Një emision që bëri “RAI3”, doli me zë dhe figurë kjo që opozita ka thënë kaq kohësh.
Çështja e farës vietnameze që ne e kemi thënë para 6 muajsh u pranua edhe nga GDF, u pranua edhe nga Policia e Shtetit. Sipërfaqe të tëra janë korrur nga 2 deri në 3 herë, ky është informacioni i GDF. Alarmi që dha prokurori ishte shumë i madh. Sasi të mëdha si asnjëherë tjetër po vijnë drejt Italisë.
– Ju thatë që qeveria ka zgjedhur strategji kultivimin e kanabisit, kjo është strategji shtetërore sipas jush?
Absolutisht nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Javën e kaluar në Parlament ministri përpëlitej për të dalë nga kjo situatë, nga akuzat që shkonin drejt tij, u mundua të justifikojë si çështje varfërie çështjen e drogës. Pra, një varfëri që është varfëri e tejskajshme dhe që të dalësh nga kjo varfëri zgjidhja është kjo. Unë di si deputet, që në shumë vende të Republikës bandat e drogës kanë qenë të garantuara që kur e kanë mbjellë. Kanë shkuar dhe i kanë paguar paratë disa pronarëve të tokave dhe ju kanë thënë ikni se kemi mbështetjen qeveritare. Jemi me rekomandim nga lart.
Kishte zona që qaheshin banorët sepse nuk mund të merrnin dru për dimër sepse malet dominoheshin dhe kontrolloheshin nga bandat e hashashit. Për të mos thënë pastaj që edhe moratoriumi i gjuetisë është bërë vetëm që mos dalin gjahtarët nëpër pyje për të mos parë hashashin. Të gjitha këto tregojnë se ka prapavijë të mirëfilltë politike. Prapë do të rikthehem tek emisioni i “RAI3”. Trafikanti që i dha intervistë gazetarit e dëgjuat çfarë tha: paguaj 40%, kam prapa shefin, drejtorin deri tek ministri. E thonë trafikantët vetë. Ka një gjë, po të shkosh të shohësh fasonerinë nga Kamza deri në Krujë, të shkojë një gazetar dhe të intervistojnë një pronar fasonerie, e di çfarë hall të madh kanë: Po ju ikin gratë dhe të rinjtë nga puna sepse marrin 20 mijë lekë tek parcelat e hashashit, sepse po ikën.
Fshatarët i shohin, ne i denoncojmë, shteti nuk reagon, çfarë do të thotë kjo? Ndërkohë që atje ku themi ne vazhdon të thahet hashashi. E kemi denoncuar zonën e Bovillës dhe zonës pas Dajtit deri në Shëngjergj. Nuk pati asnjë preokupim qeveritar. Çfarë ndodhi? Ndodhi vrasja e një qytetari në Shëngjergj. Ka edhe një gjë më të tmerrshme, ka filluar inkriminimi i frikshëm policor. Kupola e policisë është e zhytur në krim deri tek ministri i Brendshëm. Pse? Janë 7 viktima nga hashashi vetëm për këtë periudhën 2-mujore. Policia i ka fshehur të gjitha. Rasti më flagrant se ai i Shëngjergjit nuk ka. Është i vrarë për pazare hashashi. Ka shumë të dhëna që na çojnë deri tek shoqëruesi i ministrit në këtë histori dhe përpos faktit që u munduan ta paraqisnin si vetëvrasje, ndërkohë që po rezulton që është vrasje ka shumë të dhëna që rezultojnë se e lanë gjatë atë histori derisa të boshatisen edhe magazinat dhe pastaj e njoftoi policia.
– A i keni çuar këto akuza në Prokurori?
Nuk është e nevojshme t’i çojmë në Prokurori, sepse Prokuroria është marrë vetë me këtë çështje. Po të shohësh rastin e Vlorës, datë 4 tetor, aksioni i kapjes së 23 tonë hashash ishte aksion i Prokurorisë bashkë me SHISH. Ky është një alarm më vetë. Çfarë do të thotë? Do të thotë që këto institucione të sigurisë kombëtare i kanë informacionet që drejtuesit janë të zhytur në historitë e hashashit. Ai 23 tonëshi, ministri i Brendshëm ishte zverdhur dhe në vend që të përgëzonte Prokurorinë, e sulmoi megjithëse ishte i zverdhur sepse i kishte ikur hashashi. Kjo është e frikshme sepse po mundohet të mbjellin në Shqipëri një frymë krimi.
– Mund të jetë politike deklarata e Manjanit?
Manjani është ministër dhe atë deklaratë çdo qytetari i këtij vendi e ka. Kjo është mëse e mjaftueshme. Çdo politikan duhet të jetë i alarmuar sepse në këtë vend po jepet alarmi që krimi dhe bandat e trafikut të lidhura me qeverinë po dominojnë jetën e vendit. Kjo është një moment që Rama ka mbajtur një premtim. Ka takuar të gjithë bandat dhe i tha ja ku jemi do të qeverisim.
– Sa e rrezikon kjo situatën e zgjedhjeve?
Kjo nuk e rrezikon, kjo e shkatërron.
– Pra, po thoni që kanabisi do të blejë sërish?
Po themi që Edi Rama do të blejë me bandat e kanabisit dhe me këto banda do të dominojë procesin.
– Cila është përgjegjësia e opozitës?
Opozita ka një përgjegjësi, kur shikon situata të tilla duhet të ngrejë alarmin. Ne e kemi ngritur me kohë alarmin. Opozita dhe unë si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë kam ngritur alarmin me disa letra që kam dërguar qeverisë për të ndaluar dhe monitoruar procesin e mbjelljes, janë letra që janë bërë publike në media. I kam dërguar letër edhe GDF që të shpejtojë procesin e monitorimit. I kam dërguar prapë letër Kryeministrit. Kemi denoncuar me fakte përfshirjen e strukturave policore në mbjelljen e hashashit. Askush nuk e ka vënë ujin në zjarr nga institucionet. Përkundrazi Kryeministri vetëm e ka mohuar. Vetëm ai thotë jo, sepse të gjithë e dinë që vendi quhet kanabista. I vetmi që e mohon është Rama sepse është instrumentuesi i kësaj fushate.
– Keni një strategji?
Strategji ka vetëm një. Është prerja e vullnetit politik. Kjo qeveri nuk e ka, sepse vullnetin e ka për të kriminalizuar. Strategjia është: Pa Edi Ramën kjo Shqipëri shpëton nga hashashi, shpëton nga krimi sepse rrezikojmë të kthehemi si Meksika.
Marrë nga “Ora News”