Gardisti, grabitës serial i karburanteve në Tiranë

Grabitësi serial i pikave të karburantit në Tiranë u zbulua se ishte një punonjës i Gardës së Republikës. Prej një muaji, gardisti Geraldo Guçi ishte kthyer në një tmerr për të gjitha pikat e karburantit në kryeqytet. Vetëm javën e fundit u grabitën tre pika karburanti, ndërsa mëngjesin e djeshëm, policia bëri të ditur se ka vënë në pranga Geraldo Guçin, punonjës i Gardës së Republikës, pasi akuzohet për vjedhje me armë të ndodhura në Tiranë. Gardisti është akuzuar për të paktën 3 grabitje me armë të ndodhura brenda një jave në zona të ndryshme në Tiranë. Gardisti, pasi i vidhte karburantet paratë dhe veshjet i fshihte në makinën e tij tip “Benz” si dhe duke përfituar nga të qenit punonjës i Gardës së Republikës kalonte postblloqet pa asnjë problem.
Të dielën, gardisti grabiti nën kërcënimin e armës një pikë karburanti në rrugën “Isuf Elezi” në kryeqytet. I maskuar me kapuç në kokë dhe një shami në fytyrë, pasi ka kërcënuar me armë punonjësin e karburantit, 42-vjeçarin me inicialet H.S., gardisti i ka vjedhur atij 80 mijë lekë dhe një celular tip “iPhone 6”. Ndërsa të dielën e 10 tetorit, ka kryer një grabitje me armë në një pikë karburanti në Unazë të Re në Tiranë. Ndërsa në ditët e para të muajit tetor, grabitësi kërcënoi me armë dhe mori xhiron ditore të një karburanti në qendër të Tiranës shumë pak metra larg Drejtorisë së Policisë në rrugën “Myslym Shyri”. Sipas burimeve, dyshohet se gjatë muajit shtator i njëjti person ka kryer dhe disa grabitje të tjera në Fushë-Krujë.
Garda e Republikës deklaroi fillimisht se, Geraldo Guçi i arrestuar për grabitje me maska nën kërcënimin e armës nuk është punonjës i Gardës, por një praktikant. Ndërsa pak orë më vonë, Garda e Repubklikës deklaroi se e kishte pushuar nga puna gardistin që kryente grabitje.

Grabitja e taksistit

Një tjetër gradist u arrestua në mars të këtij viti për grabitjen e një taksisti në Tiranë. Eduart Budini, 30 vjeç nga Këlcyra kishte marrë një taksi, por sapo ka udhëtuar rreth 500 metra, ai i ka vënë pistoletën në kokë taksistit, duke i marrë të gjitha paratë dhe disa sende me vlerë. Më pas, ai ka zbritur nga makina tip taksi dhe është larguar nëpër rrugicat, duke humbur gjurmët.
E gjithë ngjarja ishte regjistruar nga kamera e sigurisë që ndodhej brenda në taksi dhe më pas është zbuluar edhe autori. Polici në këtë rast e ka kryer grabitjen në kërcënimin e armës së punës, por i pa maskuar. Janë disa raste, kur persona të veshur me uniformë ushtrie dhe policie kanë grabitur dhe kanë kryer vrasje si në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fier etj. Para disa kohësh, katër persona me uniforma policie i zunë pritë me kallashnikovë një makine të blinduar që po transportonte paratë drejt Rinasit dhe nën kërcënimin e armëve arritën të grabisin 3.8 milionë euro. Në asnjë rast këta grabitës me uniforma policie nuk janë zbuluar, ndonëse janë kthyer në një tmerr për qytetarët. Këto fakte tregojnë se në radhët e policisë dhe të ushtrisë janë punësuar elementë kriminalë që grabisin dhe kryejnë vvepra kriminale.

R.POLISI

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërSms-të që implikojnë truprojën e Tahirit në vrasjen për drogën