Gjatë vitit të kaluar nga marsi në nëntor u regjistruan rishtas si punëkërkues në Zyrat e Punës në të gjithë vendin mbi 49 mijë persona.
Regjistrimet u nxiten nga kushtet për të përfituar nga paketat e ndihmës që aplikoi qeveria gjatë pandemisë. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit fluksi më i madh i regjistrimeve ishte në muajin prill dhe maj ku u regjistruan si të papunë përkatësisht mbi 12 mijë dhe 6500 persona (shih grafikun në fund).
Kërkesat ranë disi me hapjen e ekonomisë dhe fillimin e sezonit veror, por regjistrimet nisën sërish me rritjen gjatë muajit shtator.
Sipas analizave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit problematike mbetet mospërputhja e ofertës dhe kërkesës për punë e cila reflektohet në çdo kategori profesionale.
Kërkesa për punë fokusohet më tepër në kategorinë e Zejtarëve dhe zanatçinjve me 30% të totalit të vendeve të lira të shpallura, ndërsa oferta përbën 15% të totalit te të regjistruarve për këto vende.
Edhe pse për këtë kategori kërkesa e tejkalon ofertën për punë, një pjesë e konsiderueshme e të papunëve nuk arrijnë të punësohen për shkak të moshës, arsimit dhe profesioneve specifike që ata kanë.
Gjithashtu, prej totalit të papunëve të regjistruar në këtë kategori profesionale 48% e tyre janë afatgjatë dhe 26% trajtohen me ndihmë ekonomike.
Kategoria e dytë me më shumë vende të lira janë profesionet elementare me 22% të totalit të vendeve të lira të shpallura, ndërsa oferta përbën 33% të totalit të papunëve të regjistruar që zotërojnë profesione elementare.
Punësimi i kësaj kategorie paraqitet shumë i vështirë për shkak të numrit të ulët të vendeve të lira të punës, arsimit dhe faktit se në këtë kategori ka një numër të lartë punëkërkuesish të papunë pa një profesion të mirëfilltë, çka mund të vlerësohen edhe si pa profesion.
Punëkërkuesit e papunë të cilët janë pa profesion përbëjnë rreth 19% të regjistrit të punëkërkuesit. Sikurse tek profesionet elementare, përveç mungesës së vendeve të lira për punonjës të pakualifikuar, në këtë kategori 24% e punëkërkuesve të papunë trajtohen me ndihmë ekonomike.