Mosha e re, sekreti i Milanit

Prej vitesh skuadra e Milanit nuk është mbretëreshë e merkatos në Itali, përkundrazi, shpesh kuqezinjtë janë kritikuar për një politikë low cost, apo thënë shqip të shpenzimeve të reduktuara, e madje Galliani dhe drejtuesit e tjerë të klubit janë akuzuar për përforcime të panevojshme ose të gabuara. Por diçka e tillë është e kushtëzuar nga fakti që financat nuk janë ato të kohërave të arta, dhe Milani ka mësuar të menaxhojë aq sa ka në dispozicion. Montella duket se ka gjetur çelësin e duhur për të vënë në shërbim talentet e rinj që Milani ja ka dalë të mbledhë, duke shpenzuar fare pak. Sipas një studimi të “Gazzetta Dello Sport”, Milanit i janë dashur vetëm 45 milionë euro dhe tani ndodhet në vendin e dytë bashkë me Romën. E ndërkohë që politika e blerjeve me kosto zero nuk duket më një dështim, Milani mund të përfitojë një shumë të konsiderueshme nga Alessio Romagnoli, i cili pëlqehet shumë nga Antonio Conte. Siç bëjnë të ditur Chelsea është gati të hidhet në sulm për mbrojtësin e kuqezinjve me një ofertë prej 55 milionë eurosh. Romagnoli është një lojtar shumë i pëlqyer për Conten, që tanimë është dorëzuar në misionin për t’i rrëmbyer Bonuccin Juventusit. Mes Chelseat dhe Milan, mbetet i hapur edhe diskutimi në lidhje me Cesc Fabregas dhe Romagnoli mund të jetë një trampolinë vendimtare për të arritur te futbollisti spanjoll.
Elementët e rinj
Vendi i dytë i Milanit në renditjen e kampionatit italian, pas një mungese 8-vjeçare, është surpriza e vërtetë e këtij sezoni. Në ditët kur Interi lundron në një krizë të thellë, teksa kanë 10 pikë më pak se Juventusi, kuqezinjtë janë gati të presin “Zonjën” të qetë, në “divanin” e shtëpisë.
Në ndeshjen e fundit u përball ekipi me mesataren më të lartë në kampionat dhe ai me mesataren më të ulët. “Adoleshentët” e Montelës dolën fitues, me personalitet dhe një paraqitje për t’u duartrokitur. Ai Milan që ishte mësuar të zhgënjente tifozë, duke u mundur me shumë thjeshtësi dhe në gjendje për të acaruar profesionistët e kalibrit të Abiatit dhe Abates (në sezonin e fundit), gradualisht po bëhet vetëm një kujtim i largët për tifozët.
Në skuadër nuk ka më “zonja të para”, të gjithë sakrifikohen dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Donaruma është një talent i vërtetë, të cilin e pret një e ardhme e ndritur: bën të duket gjithçka shumë të lehtë edhe në një mbrëmje ku nuk ka qenë e nevojshme për të bërë asnjë mrekulli. I vetëm i ka dhënë Milanit 5-6 pikë në këtë kampionat.
Lokateli, pas paraqitjes së djeshme, mund të konsiderohet titullar i rregullt te skuadra e Montelës. Dhe Niang tashmë është një siguri, për nga mënyra se si e ndihmon skuadrën në sulm dhe për epërsinë numerike që krijon. Nëse më pas shpik edhe gola nga asgjëja…
Mbrojtja
Montela, gjatë kohës që ishte në drejtim të Fiorentinës, konsiderohej një trajner me mentalitet sulmues, skuadra e të cilit zhvillonte një futboll argëtues, por që nuk mendonte shumë për mbrojtjen. Ndërsa mbrojtja kuqezi është e një niveli të lartë. Pas dy javëve të para, me 6 gola të pësuar, Donaruma ka nxjerrë topin nga rrjeta vetëm 5 herë dhe 3 prej këtyre golave kanë ardhur në “San Siro” kundër Sasuolos. Një lojtar me eksperiencë si Paleta ka ndihmuar Romanjolin e ri, por është gjithë mentaliteti i skuadrës që është më pozitiv se në vitet e kaluara.
Më pas është Juraji, sllovaku simbol i kësaj skuadre. Lojtar i vetëdijshëm për cilësitë e tij, por kryesisht për limitet e tij. Jep gjithçka për ekipin në aspektin fizik. Për këtë mund të pyetet Paul Pogba, i cili është vënë në vështirësi nga milanisti në disa përballje Milan-Juve. Me të dhe Bonaventurën, i cili duhet vlerësuar për faktin se ka pranuar një rol që nuk e lejon të shprehë gjithë cilësitë e tij, ka dy mesfushorë të kompletuar. Vrapim, rikuperim të topave, depërtime dhe pasime vertikale.

Artikulli paraprakFlorenzi, gati kontrata “e përjetshme” me Romën
Artikulli tjetërModriç pas rinovimit: Dua të fitoj La Ligan me Realin