Rreth 30 mijë trupa irakiane dhe 4 mijë luftëtarë kurdë peshmerga po marrin pjesë në një ofensivë për të rimarrë nga Shteti Islamik qytetin e dytë më të madh të Irakut, Mosulin. Ndërsa luftimet në rrethinat e Mosulit kanë hyrë në ditën e dytë, ushtria amerikane po jep ndihmën e saj me këshilla dhe mbështetje nga ajri. Analistët dhe politikanët nuk kanë dyshim se Mosuli do të rimerret, por disa janë të shqetësuar për të ardhmen e Irakut, si një vend me ndarje të shumta sektare.
Presidenti kurd Masud Barzani thotë se bashkëpunimi në fushën e betejës është një shenjë e mirë.
“Është hera e parë që forcat Peshmerga dhe ushtria irakiane luftojnë së bashku në vijën e frontit kundër kësaj organizate terroriste dhe ne shpresojmë se ky është një fillim i mirë për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet dy palëve”.
Qeveria dhe ushtria irakiane mbizotërohen nga myslimanë shiitë. Kryeministri Haider al-Abadi ka thënë se nuk do të tolerohet asnjë ndasi etnike dhe fetare. Por, ka njoftime të shumta se një pjesë e kurdëve duan që territoret që do të merren nga peshmergat të bëhen pjesë e Kurdistanit, ndërsa Turqia, e cila trajnon sunitë vendas, kërkon që ata të kontrollojnë Mosulin.
Trevor Thall, analist në Uashington, thotë se arritja e paqes në Mosul do të jetë beteja më e vështirë.
“Është një gjë të marrësh qytetin dhe tjetër gjë të arrish paqen. Mendoj se në qoftë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një plan të tillë, atëherë nuk mendoj se qeveria irakiane ka një plan. Mendoj se rreziku i vërtetë i Mosulit për Shtetet e Bashkuara është se mund të paralizohet në këtë luftë për të vendosur paqen, sepse ne kemi 12 vjet që jemi në Irak dhe ende nuk kemi një zgjidhje”.
Kombet e Bashkuara janë të shqetësuara për civilët në Mosul.
“Ne dimë se ISIS-i ka vendosur mina në pjesë të mëdha të qytetit. Dimë se ka ndotje në shkallë të gjerë nga lëndët e rrezikshme shpërthyese. Jemi shumë të shqetësuar për snajperët”.
Nuk është e qartë nëse civilët në Mosul do të jenë në gjendje t’i shpëtojnë shkëmbimeve të zjarrit dhe nëse po, ku do të strehohen ata. Një tjetër shqetësim është se xhihadistët mund të përdorin banorët si mburoja për t’u larguar nga qyteti. Zyrtarët thonë se të gjithë ata që do të ikin nga Mosuli do të kontrollohen me imtësi.
“Plani i përgjithshëm parashikon kontrolle të imtësishme që do të kryhen nga forcat irakiane, kurde dhe agjencitë civile, duke përfshirë edhe Ministrinë e Migracionit dhe Transportit. Ato do t’i regjistrojnë dhe zhvendosin banorët për në qendrat e banuara”.
Grupi Shteti Islamik e ka mbajtur nën kontroll Mosulin që nga qershori i vitit 2014. Humbja e kësaj baze të fundit në Irak mund t’i detyrojë luftëtarët e tij të mbetur të kalojnë në Siri.