Ndikimi i paragjykimeve për kandidatet gra në presidenciale

Fushata e zgjedhjeve presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara është e pazakontë në shumë fronte, por një nga aspektet e saj, është me të vërtetë historike. Për herë të parë një nga partitë kryesore ka emëruar një grua si kandidate, demokraten Hillary Clinton.
Por pse u desh një kohë kaq e gjatë për të arritur tek ky moment historik në një vend që ka qenë në vijën e parë të frontit për të drejtat dhe përparimin e grave në gjithë botën? Dhe si ndikojnë idetë fikse për rolin e gruas tek përgjigjja e publikut për një kandidate grua.

Sjelljet sociale dhe paragjykimet
Kritikat e kanë pjesërisht prejardhjen tek paragjykimet. Michele Swers, profesore e politikës amerikane në Universitetin Georgetown dhe bashkautore e librave për gratë në politikën amerikane, thotë se njerëzit akoma mendojnë për forcën dhe aftësitë udhëheqëse, si atribute të burrave.
“Një grua ka më pak hapësirë, sepse gratë në politikë duhet të provojnë që kanë si aftësi udhëheqëse mashkullore, por edhe tipare femërore të personalitetit që njerëzit e marrin si të mirëqenë që gratë i kanë”, thotë ajo.
Profesore Swers thotë se, zonja Clinton kritikohet shpesh se është e ftohtë dhe e përllogaritur. Por nga ana tjetër, kur ajo shfaq anën e saj të butë, ajo shkakton reagim të kundërt, thotë Sonya Michel, ish-profesore në Universitetin e Merilendit, historiane e çështjeve të grave dhe barazisë gjinore.
“Sa më shumë përpiqet, që të shmangë këto lloj kritikash, aq më shumë njerëzit thonë ‘a është e fortë sa ç’duhet, është e vendosur sa ç’duhet? Si do ta paraqesë veten në arenën botërore?’”.

Roli i sistemit politik
Faktorët që nuk kanë lejuar që të arrijë kaq pranë presidencës në Shtetet e Bashkuara, janë të larmishme dhe komplekse dhe kanë lidhje edhe me mënyrën se si funksionon sistemi politik në Shtetet e Bashkuara.
“Për të siguruar emërimin presidencial, jo vetëm që duhet të konsolidosh pozita brenda partisë, por duhet të krijosh një koalicion dhuruesish, lidhjesh me udhëheqës të ndryshëm partiakë në shtete dhe të gjitha këto struktura gjatë gjithë kohës janë mbizotëruar nga burrat, prandaj është e vështirë për një grua të ketë këto lidhje dhe të depërtojë”, thotë profesorja Swers.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja që gruaja që i është afruar më shumë se kurrë presidencës, është një person që i ka krijuar këto lidhje, si ish-Zonjë e Parë, ish-senatore dhe ish-sekretare Shteti.
“Në Evropë, veçanërisht në vende që kanë sisteme parlamentare, votohet për partinë, nuk votohet domosdoshmërisht për kandidatin, për personin që do të bëhet Kryeministër”, thotë historiania Michel.
Ajo përmend si shembuj, kryeministret Margaret Thatcher dhe Theresa May në Britani, si edhe Kancelaren Angela Merkel në Gjermani.
Standardi i dyfishtë është një frazë që kuptohet edhe në vendet që kanë pasur udhëheqëse gra. Dori Toribio, korrespendente për Uashingtonin e grupit mediatik të transmetimit, “Mediaset” thotë se ajo që shihet sot në Shtetet e Bashkuara, ka qenë i pranishëm në Evropë për një kohë të gjatë.
“Njerëzit krijojnë këtë imazh në mendje, që ato janë gra të ashpra, që janë të padrejta dhe vetëm sepse janë në një pozitë me pushtet”, thotë ajo.

Standard i dyfishtë apo kritika legjitime?
Profesore Swers thotë se kritikat ndaj zonjës Clinton, nuk kanë të bëjnë vetëm me të qenit femër.
“Mendoj se kritikat për serverin dhe e-mail-et dhe lidhjet e dhurimeve për fushatën me fondacionin Clinton janë legjitime, sepse shtrojnë pyetje për transparencën, sinqeritetin dhe karakterin e udhëheqësve tanë”.
Megjithatë, shton ajo, shpesh këto pyetje gërshetohen me ato të ideve fikse për rolin e gruas, sepse nga kandidatet gra pritet që të jenë më të sinqerta, më të besueshme, më të pëlqyeshme.
Dhe më të përgatitura, thotë gazetarja Toribio që shton se u prit që të ishte dikush pikërisht si Hillary Clinton, që t’i afrohej kaq shumë presidencës.
“Kjo është çështja me gratë në politikë. Duhet të jesh më me përvojë, më e fortë dhe sipas këndvështrimit tim, duhet të jesh 10 herë më e zonja sesa një burrë që të arrish në atë pikë. Gjithmonë je në provë”.
Arsyet për reagimet e ndryshme ndaj zonjës Clinton janë të ndryshme dhe pasqyrojnë faktin që kultura në një vend të madh si Shtetet e Bashkuara, është e larmishme. Më 9 nëntor, një ditë pas zgjedhjeve, bota do të marrë vesh nëse votuesit amerikanë do të zgjedhin një grua si presidente, duke shembur barrierën e fundit më të vështirë në rrugën e grave drejt suksesit.

Artikulli paraprakRusia paralajmëron SHBA për masa të “dhembshme”
Artikulli tjetërShumë probleme me fqinjët, zero probleme me Vuçiç