Padrejtësia e skalitur në vitrinat e zezonës keqqeverisëse, të tillat vitrina që llamburisin duke imponuar një shkëlqim verbues për vështrimin e qytetarit që është përhumbur në kërkim të së vërtetës të ofruar nga propaganda; shkëlqim verbues për të pamundësuar gjurmimin e së vërtetës keqqeverisëse; e vërteta keqqeverisëse që artikulohet nga ushtruesit e të tillës, dëgjohet nga qytetari, por zëri i të vërtetës keqqeverisëse nuk e prek të tillin….e tilla gënjeshtër e mveshur me kostumin e së vërtetës prek shoqërinë përmes metastazave autokratike që rreken të tjetërsojnë secilin nerv reagues ndaj rendit sundues që zotëron gjithçka në të tashmen dhe tenton të vendosë fatet e së ardhmes nën të tijën thundër. Këto vite të shenjuara nga diktati i keqqeverisjes i mbrujtur në një vullnet tërësisht regresiv mbi garantimin e një stabiliteti shoqëror dhe politik; vullnet negativ për konsolidimin e rendit demokratik dhe balancës së pushteteve; vullnet i munguar për zgjedhje të gjithëpranuara që do të garantonin një zgjidhje të qëndrueshme politike; vullnet i zi për të mundësuar një ecuri pozitive të proçesit të Integrimit Europian përmes përmbushjes së standarteve që do të ishin antitrupat e duhur për të luftuar sëmundjen keqqeverisëse.
Drama e Shqiptarit të sotëm që endet në ekuipazhin e një anijeje qeverisëse që lundron në detin e madh të përrallës aeroportuale që shndërrohet në funksion të propagandës, në një tregim letrar me marinë dhe marinarë…..sërish larg subjektit Tokë dhe duke rendur pas fluturimit të pavërtetës së rradhës që materializohet në 3-D që sërish mbetet i largët për banorët e këtyre anëve…..të tillët kërkojnë dinjitet njerëzor, punë dhe një jetë normale; ata kërkojnë qytetin e humbur, qeverisjen e munguar, vëmendjen e harruar, besimin e shpërdoruar……..qytetarët kërkojnë të shikojnë në sy fytyrën njerëzore të qeverisjes që nuk ngërdheshet, ironizon me cinizëm, tall dhe gajaset me qytetarin që është i detyruar të kthehet në një pjesëmarrës jo-dinjitoz të spektaklit qeverisës; fytyra njerëzore e një qeverisjeje që respekton qënien njerëzore dhe individin dhe nuk rend pas dukjes që mvesh thelbin e mungesave të një shoqërie si dëshmi e angazhimeve të munguara të së njëjtës; fytyra njerëzore e një qeverisjeje që nuk ndërton rrjetën e madhe të të pavërtetave fabulë-humbura që janë helmatisja e së tillës së tashme të shqiptarit të ngratë.
Qytetari durim-madh ka përjetuar shumëçka gjatë këtyre viteve, rradhët e shkruara nuk do të mbaronin së treguari, por të tillat nuk do të ishin njëjtë të sakta me përjetimin e shumëkujt që ka provuar shuplakën jo-njerëzore të pushtetit……qytetari ka heshtur për shkak të fuqisë së munguar në munguar në përballjen me arradhën pushtet-ushtruese, të tillët sejmenë që emërtimi hierarkik shtetëror u përcjell kurajo të shtuar për të marrë përgëzimet pushtetore; qytetari hesht dhe vështron…..kujton të shkuarën dhe vajton në heshtje zbrazëtinë e së tashmes, e tilla jo vetëm shpirtërore, por zbrazjen e lagjies, qytetit dhe vendit, gjithashtu. Qytetari hesht për të mos folur, i tilli hesht për të mos harruar, i tilli hesht për të ndëshkuar përmes të vetmit instrument që mbetet pushteti i tij…..i tilli i votës që do të sjellë ndryshimin e qënësishëm dhe do të zhbëjë shumëçka nga zullumi i tepruar që shkakton enumeracioni i akteve negative; vota do të jetë ndëshkimi qytetar i merituar për qytetin që mungon dhe Shqipërinë që lëngon. Koha për një ndryshim të vërtetë, shpresë të re për ditë më të mira është tani! Koha për një bashkim të madh për një Shqipëri normale, qeveri normale dhe Kryeministëri normal është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë…