Të përndjekurit: Xhelatët e diktaturës jo në drejtësi

Unioni Mbarëkombëtar i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë ka reaguar lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi pas miratimit të saj në Parlament. Në një deklaratë për mediat, të mbajtur para godinës së Gjykatës së Lartë, ish-të përndjekurit thonë se qeveria Rama po kërkon të zbatojë këtë reformë me punonjës të sistemit gjyqësor që kanë abuzuar me këtë kategori në të kaluarën.
Ata thonë se, reforma në drejtësi duhet të “pastrojë” dhe të nxjerrë jashtë sistemit nga institucionet e drejtësisë, “të gjithë ata gjyqtarë, prokurorë, hetues të diktaturës komuniste, të cilët janë përfshirë direkt në shkeljen dhe dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”.
Përmes një deklarate për mediat, Besim Ndregjoni, President i Shoqatës në emër të mijëra familjeve që pësuan traumat e genocidit të diktaturës komuniste i bëri thirrje Ramës të largojë xhelatët e komunizmit nga sistemi i drejtësisë.
“Në emër të mijëra familjeve që pësuan traumat genocidjane të diktaturës komuniste, në emër të 6000 familjeve që kërkojnë eshtrat e pjesëtarëve të tyre që këta gjyqtarë e prokurorë i kanë vrarë dhe dënuar dhe u kanë humbur dhe eshtrat e tyre kërkojmë zoti kryeministër mos tentoni të mbani në sistemin e drejtësisë kamikazët e diktaturës. Largoni sa më parë nga sistemi i drejtësisë këta dhunues të të drejtave dhe lirive të njeriut. Zoti Kryeministër zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mos paguani nga taksa paguesit shqiptarë, militantët tuaj politikë që kanë depërtuar në sistemin e drejtësisë. Nëqoftëse  ju nuk zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese jepni dorëheqje sa nuk është vonë. Ne jemi këtu çdo ditë, çdo orë për të vënë në vend drejtësinë dhe për t’u dënuar krimet e komunizmit”, tha Ndregjoni.
Ai akuzoi Ramën se po kërkon që reformën në drejtësi ta përmbyllë me xhelatët e komunizmit, me ata që në diktaturën komuniste dënonin qytetarë të pafajshëm, shfarosnin familjet e mëdha fisnike shqiptare. Ndregjoni theksoi se, “reforma në drejtësi është një kauzë kombëtare që në një sistem demokratik të brishtë siç është sistemi ynë ku për 25 vite zvarritet në mes politikë bërjes komuniste dhe standardeve që kërkon ndërtimi i një sistemi i barabartë për të gjithë qytetarët, nga ne ish-të përndjekurit dhe të burgosurit politikë që përballuam diktaturën dhe çnjerëzimin e kësaj diktature, e mirëpritëm dhe jemi të dakordësuar me një sistem që të japi drejtësi e të penalizojë krimin.
Por çfarë po ndodh me reformën në drejtësi?
Kryeministri Edi Rama si drejtues i një mazhorance reformën në drejtësi do ta bëjë me kamikazët e shkeljeve të të drejtave dhe lirive të njeriut që në diktaturën komuniste dënonin qytetarë të pafajshëm, shfarosnin familjet e mëdha fisnike shqiptare. Dhe ofensiva e këtij kryeministri nuk njeh kufi. Ai ka marrë përsipër me deputetët e tij që dje dënonin në diktaturë që nga Kryetari i Komisionit për reformën në drejtësi e deri tek operativët e ish-Sigurimit të Shtetit që janë në Parlament dhe votojnë këtë reformë”, u shpreh Ndregjoni.
Ai theksoi se reforma në drejtësi duhet të pastroi dhe të nxjerri jashtë sistemit nga institucionet e drejtësisë të gjithë ata gjyqtarë, prokurorë, hetues të diktaturës komuniste, të cilët janë të përfshirë direkt në shkeljen dhe dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. “Këta prokurorë, gjyqtarë, hetues kanë 25 vite që e shkatërruan këtë sistem drejtësie, duke e korruptuar dhe duke e degraduar në mënyrë sistematike. Nuk mund të ketë dy standarde zoti Kryeministër në një sistem demokracie, ata që krijuan dhe depërtuan në administratë shtetërore, korrupsioni këtë krim që i po i merr frymën shoqërisë dhe e ka paraqitur kombin tonë me imazhin më të keq në Europë. Ka tre vite që kjo mazhorancë nuk pranon në Gjykatën e Lartë gjyqtarë dhe i len vendet vakant vetëm se Kryeministri mban pa asnjë lloj ligji një ish-prokuror të diktaturës që i shërben Kryeministrit dhe mazhorancës aktuale si militant besnik Ardian Dovranin, i cili megjithëse Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin që ai të largohet nga Gjykata e Lartë, Kryeministri Rama nuk pyet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Jemi në një situatë kaotike, kur Kryeministri i vendit nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në një vend normal të demokracisë, ai kryeministër që nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese duhet e pakta që të bëjë të japi dorëheqje”,  tha Presidenti i Shoqatës së ish-të Përndjekurve.

Artikulli paraprakQeveria lë në harresë lumturimin e Nënë Terezës
Artikulli tjetërTjetër mushkonjë droge në Lalz, 2 fluturime rreth zonës