Elseid Hysaj në ngërç psikologjik

Me Elseid Hysajn në stol, Napoli zhgënjeu përballë Beshiktash, duke u mposhtur 3-2 përpara publikut të vet në “San Paolo”. Zgjedhja e trajnerit Maurizio Sarri për ta lënë mbrojtësin kuqezi në stolin e rezervave, i befasoi të gjithë, me të kaltërit që nuk shfaqën garancitë e zakonshme në fazën difensive. Pas disfatës, që komplikoi rrugën e Napolit në turin tjetër, në konferencën për shtyp tekniku Sarri sqaroi edhe vendimin për të mos e përfshirë 22-vjeçarin në formacionin titullar. “Hysaj m’u duk i lodhur në aspektin psikologjik, nuk e shihja maksimalisht të përqendruar. Për mendimin tim nuk ishte e udhës që ai të luante dhe për këtë arsye vendosa të hedh në fushë Maggio-n”, u shpreh Sarri.
Një zgjedhje jo e goditur taktike, sepse 34-vjeçari Maggio ishte ndër lojtarët më të dobët në fushë për Napolin. Ish-lojtari i përfaqësueses italiane nuk dha garancitë e nevojshme në fushë dhe kjo do të bëjë që Elseid Hysaj të rikthehet në vendin e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes. Duke nisur nga ndeshja e javës së nëntë në Serisë A me Crotone-n, ku Napoli kërkon të kthehet te fitorja pas tre humbjesh radhazi mes kampionatit dhe kupave të Europës.

Artikulli paraprakAbrashi kalon dëmtimin
Artikulli tjetërBonucci dëshironte M.City, Juventusi e ndaloi!