Prokuroria i bindet Ramës, kërkon të mbyllë hetimet e dhunës së policisë ditën e shembjes së Teatrit

Nga Silva CAKA

Prokuroria e Tiranës vendos të kërkojë pushimin e çështjes së shoqërimit tim dhe 4 personave të tjerë në komisariat, ndër ta edhe gazetari Alfred Lela, në ditën e shembjes së Teatrit Kombëtar!?

Arsyetimi është ”mungesë provash” për kryerjen e veprimeve arbitrare!!!

Skandaloze!

Çfarë provash kërkon më shumë prokuroria, kur filmimet janë aty dhe tregojnë arbitraritetin e veprimeve, si në momentin e kapjes, ashtu edhe gjatë shoqërimit?

Çfarë provash kërkon më shumë prokuroria kur ekziston një raport mjeko-ligjor, i cili paraqet dëmtime mbi 9 ditë???

A i kërkoi të gjitha provat Prokuroria, pasi nga shqyrtimi i kërkesës për pushimin e çështjes, më rezulton se Prokuroria ka thirrur për marrje në pyetje vetëm njërën palë, vetëm efektivët e Policisë, të cilët për asnjë arsye në botë nuk do t’a ‘lëshonin’ njëri-tjetrin?

Pse Prokuroria nuk ka kërkuar të dëgjojë dëshminë e Alfred Lelës, i cili u masakrua nga dhuna policore?

Pse Prokuroria nuk ka kërkuar të marrë dëshminë e 2 djemve, që u shoqëruan dhe dhunuan vetëm pse hynë për të ndaluar shoqërimin tim të padrejtë?

Pse Prokuroria nuk ka thirrur për dëshmitar okular bashkëshortin tim, i cili ishte dëshmitar i dhunës së ushtruar në makinën e Policisë?

Si është e mundur që Prokuroria nuk pasqyron në procesverbalet e përballjes mes palëve përpara OPGJ-së, kërkesën për falje të efektiveve të Policisë? Pse kërkon falje dikush që nuk ka bërë asnjë faj??

Si është e mundur që deri përpara 2 muajsh efektivet e Policisë, përfshirë në këtë çështje, nuk gjenin rehat duke ”futur” njerëz për të mbyllur procesin, me argumentin se shefat e tyre i kishin braktisur në këtë çështje, ndërsa sot çështja kërkohet të pushohet sa hap e mbyll sytë??

Unë do t’a vazhdoj këtë betejë ligjore deri në fund edhe pse besimi im në institucionet e drejtësisë, ka kohë që ka marrë fund!!

I bëj thirrje Gjykatës për objektivitet në gjykim, të çlirohet nga ndërhyrja e niveleve të larta të politikës dhe të japë drejtësinë e duhur për qytetarët!

Një veprim i tillë inkurajon militantët e Policisë të rrahin e të vrasin këdo që u del përpara, por në mënyrë absolute nuk do të na ndalë ne, për të rezistuar ndaj paligjshmërisë!

T’a harrojnë sot e mot! Përballë do na kenë në çdo hap të paligjshëm që do hedhin!

Artikulli paraprakPD i përgjigjet Ramës: Me paratë e PPP-ve që ke shpenzuar për miqtë e tu do të ndërtoheshin spitale!
Artikulli tjetërBasha takon në Zagreb kryeministrin e Kroacisë, i garanton angazhimin europian të qeverisë së tij pas 25 prillit