Sali BERISHA
Një polemikë e ashpër, si asnjëherë më parë që nga koha e Enver Hoxhës ka shpërthyer midis analistëve dhe pseudoanalistëve, patriotëve dhe pseudopatriotëve, filo dhe antiserbëve, avoketërve dhe kundërshtarëve të Edvin Kristaq Ramës për deklaratat dhe qëndrimet e tij në vizitën e fundit në Beograd dhe Nish.
Nuk do të ndalem këtu në komentet e asnjërit prej këtyre shkrimeve, por me keqardhje konstatoj se në tërësi, natyrisht jo të gjitha, me pasion janë pozicionuar sipas dasisë kufitare të kombit dhe janë fokusuar në aspekte të veçanta, por jo në raportin e këtyre qëndrimeve dhe deklaratave me interesin kombëtar, i cili është një dhe i pandarë, është pantotenik aty ku jemi shqiptarë.
Pra, si të thuash, shumë nga reagimet, shkrimet dhe analizat nuk janë marrë me trungun, aq sa të duket se degët dhe gjethet as që i kanë lejuar që ta shohin atë!
Interesi kombëtar, të themi si boshti i përpjekjeve për të realizuar qëllimet më të mëdha nga një komb, natyrisht ka problematikat e veta kur kombi është i ndarë në dy apo më shume shtete siç është rasti ynë. Më qartë se në çdo fushë tjetër, interesi kombëtar shprehet në politikën e jashtme të kombit, në rastin tonë të dy shteteve të kombit.
Dua të theksoj që në fillim se, dashje pa dashje kjo polemikë e pashembullt në jo pak raste mori tone dhe nuanca, të cilat gjykoj se në fund të fundit i duheshin Edi Ramës për t’i thënë Sandrit, siç e quan ai me përkëdheli Vuçiçin dhe jo vetëm atij, se nuk je vetëm ti që kundërshtohesh nga serbët, por tani jemi njëlloj sepse dhe unë anatemohem nga shqiptarët pse vij në Beograd, paçka se në këtë mes serbët kanë qenë pushtuesit, agresorët kurse shqiptarët kanë qenë viktima.
Mirëpo për Ramën kjo ka pak rëndësi.
Por le të kthehemi dhe një herë tek raporti i qëndrimeve dhe deklaratave të Ramës dhe polemikës që ato ngjallën me interesin kombëtar.
Në këtë kontekst, në rast se qëllimi i vizitave të Ramës në Beograd do të ishte lehtësimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve dhe marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, çka do të ishte dhe interesi kombëtar, efekti i vizitës së tij është qartësisht i kundërt dhe kjo, për hir të së vërtetës jo për shkak të udhëheqjes së Kosovës, por për faktin e thjeshtë se Rama punon vetëm për interesin e pushtetit të tij personal dhe jo aspak për interesin kombëtar, për të cilin ai është i huaj aq sa ç’është për një njeri që nuk i plas nëse e quajnë hero apo tradhtar.
Nuk po ndalem këtu në faktin se kjo praktikë, deklaratat dhe qëndrimet e Ramës në Beograd dhe Nish i ndajnë politikanët shqiptarë në “good boys” and “bad boys” forcojnë në Beograd dhe tek miqtë e Serbisë idenë e lindur serbe se të këqinj apo djaj që meritojnë çdo gjë janë shqiptarët e Kosovës dhe jo aq ata të Shqipërisë.
Përsëri, lidhur me interesin kombëtar, në qoftë se nuk duam të ringjallim polemikat e vjetra, duhet të shtrojmë pyetjen, a është e interesit kombëtar sjellja e Kryeministrit të Shqipërisë si një provokator ordiner në Prishtinë, në Beograd ndaj Kosovës zyrtare dhe qytetarëve të saj.
Për fatin tonë më të keq, që nga studimet e Kretchmer gjer sot, në shëmbëllesën psikologjike ne njihemi si inteligjentë, por mjerisht dritëshkurtër dhe ndofta akoma më keq ne jemi kujtesëshkurtër.
Edi Rama, pa bërë betimin në Parlamentin e vendit si Kryeministër, vrapoi në Prishtinë, por jo me mesazhin e mirëkuptimit. Ai shkoi aty me mesazhin e përçarësit dhe si një provokator ordiner ai boshatisi Parlamentin e Kosovës për shkak të qëndrimit të tij të qëllimshëm përçmues ndaj arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Ata që mendojnë se ajo ishte një pakujdesi, iu them se gënjeni veten.
Rikujtoj këtu se Rama ishte ministër me shumë influencë në kohën kur Rugova anuloi vizitën e refugjatëve të ardhur nga Kosova në Shqipëri dhe u detyrua, për shkak të qëndrimit poshtërues të qeverisë shqiptare ndaj tij, të fluturojë nga Roma në Maqedoni! Për të mos rikujtuar këtu atentatin e organizuar kundra tij më 21 shkurt të vitit 1991 nga policia sekrete e regjimit komunist.
Edvin Kristaq Rama është bir në shpirt dhe gjak i atij grupi drejtuesish komunistë, antishqiptarësh, që të udhëhequr nga të plotfuqishmit e Beogradit shiten sa herë jua kërkon interesi i pushtetit të tyre Kosovën dhe çështjen shqiptare, dhe më pas, për të justifikuar krimin e tyre të shëmtuar ndaj saj, ata urrenin atë për vdekje dhe mbillnin ditë e natë urrejtje për Kosovën dhe kosovarët!
E kam theksuar dhe përsëri e theksoj se, ndarja shekullore në shumë aspekte ka ndarë shqiptarët. Por mendoj se një nga ndasitë e mëdha tonat si komb qëndron në asimetrinë e qartë të ndjeshmërisë së shqiptarëve të Shqipërisë krahasuar me shqiptarët e viseve të tjera shqiptare ndaj barbarive, gjenocidit serb në Kosovë, por dhe në trevat e tjera të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Dhe kjo asimetri shprehet si një deficit tejet serioz, si një plagë në interesin tonë kombëtar. Përpjekjet për të zvogëluar apo dhe zhdukur këtë deficit dhe jo thelluar atë, i shërbejnë interesit kombëtar dhe duhet të jenë një objektiv madhor kombëtar.
Në tërë politikën shqiptare të 25 viteve të fundit, Edi Rama ka dëshmuar vullnet patologjik për të thelluar më shumë se kushdo tjetër këtë asimetri. Është Rama, ish-kryetari i Bashkisë që i vuri Çelësin e Artë të Bashkisë së Tiranës, Bregoviçit dhe jam i sigurt se ndjehet krenar me aktin e tij, më së paku pervers.
Po në këtë drejtim, citimi i doktrinarit kryesor të gjenocidit dhe shfarosjes së shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe veriun e Shqipërisë të serbomadhit nobelist, Ivo Andriç, nuk është as rastësi dhe as pakujdesi siç duan ta servirin serbofilët, kriptoserbofilët apo avoketërit e Ramës. Citimi i Andriç është përzgjedhje e qëllimshme e Edi Ramës dhe këshilltarëve të tij serbofilë për të provokuar shqiptarët, të cilët zbatimi i doktrinës së Andriçit iu kushtoi dhjetëra e mijëra jetë, qindra e mijëra deportime nga trojet e tyre shekullore, flet shumë. Injorimi i këtyre krimeve të rënda të paparashkrueshme kundër njerëzimit më së paku është përdhosje e varreve të viktimave të projektit Andriç.
Natyrisht, Rama dhe këshilltarët e tij serbofilë i dinin të gjitha këto, por bazuar në moton se, “nuk më bëhet vonë në më quajnë hero apo tradhtar” ata bënë përzgjedhjen e tyre cinike dhe mendoj se kjo moto ilustron më qartë se çdo gjë tjetër qëndrimin e Edvinit ndaj interesit kombëtar.
Për ne shqiptarët, nobelisti Ivo Andriç është një shkrimtar kriminel plotësisht i denjë jo për Çmim Nobel, por po të ishte gjallë të gjykohej në Hagë si doktrinar i njërit prej gjenocideve më të shëmtuara në Europë, gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, i cili vetëm në vitet ‘45-‘47 ka grirë në kasaphanën e tij së paku 4 herë më shumë shqiptarë se në luftën e fundit.
Ndokush mund të më thotë se po shfajësoj Vason?! Jo, jo aspak, por bash për Nobelin e tij, Ivo bëhet më i rëndësishëm dhe më i besueshëm për ato që ai ka shkruajtur dhe projektuar kundra shqiptarëve!
Në Beograd Rama ishte një provokator i ulët ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Rrugët, urat ndërtohen për të rritur bashkëpunimin, mirëkuptimin midis vendeve dhe kombeve:
Ndërtimi i autostradës “Ibrahim Rugova” nga autoritetet e Kosovës në vitet më të para të pavarësisë, nuk është vetëm një vepër madhore me interes kombëtar, por dhe me interes të madh rajonal. Një kontribut i Kosovës në integrimet dhe bashkëpunimin rajonal.
Në këtë aspekt pa diskutim është i mirëpritur ndërtimi i autostradës Nish-Merdare. Por është cinizëm dhe provokacion banal për interesin kombëtar, Kosovën, qytetarët dhe autoritetet e saj të flasësh për muaj të tërë për autostradën Nish-Durrës vetëm e vetëm se serbëve ju vret veshët faktorizimi rajonal i Kosovës dhe të flitet apo të përmendet autostrada Prishtinë-Durrës apo autostrada “Ibrahim Rugova”!
Skandaloz dhe me pasoja të rënda është firmosja fshehtas nga përfaqësuesit e qeverive, të Ramës dhe Vuçiç i marrëveshjes, dokumentit për këtë rrugë dhe projekte të tjera, sikur Kosova të mos ekzistonte apo territori i saj të ishte një çështje apo çiflig Rama-Vuçiç. A nuk është kjo një thikë e mprehtë ndaj interesit tonë kombëtar?
Së fundi, në vlerësimin tim, finalizimi me sukses i procesit të Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë është një interes jetik kombëtar për çdo shqiptar, i cili do të përcaktojë paqen e qëndrueshme ose luftën tjetër të përgjakshme në Ballkan. Çdo pykë, çdo përpjekje për të dobësuar pozicionin e Kosovës në këtë proces është në kundërshtim flagrant me interesin kombëtar.
Këtu nuk konsideroj të tillë mbështetjen publike të Kosovës nga Shqipëria. Por ata që janë të sinqertë në këtë mbështetje, e paraqesin atë si mbështetje me citim eksplicit ndaj qeverisë së Kosovës të zgjedhur nga qytetarët e saj për t’i përfaqësuar ata, përndryshe ajo merr ngjyra paternaliste, nuk i shërben Kosovës dhe interesit kombëtar, por i dëmton ato.
Natyrisht këto pak rreshta i shkruajta për ata që besojnë se interesi kombëtar duhet të jetë ylli ynë polar drejt të ardhmes që meritojmë si komb.
Kurse për Ramën dhe apatridët si ai, që mendojnë se për ata, hero apo tradhtar është e njëjta gjë, më duhet t’u them se janë të pashpresë dhe se vendin e kanë në koshin e plehrave të historisë së kombit tonë!