Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, foli për largimet nga LSI, duke thënë se në fakt të gjithë këta persona janë përjashtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Kryemadhi theksoi se LSI është partia e të rinjve, e pjesës më vitale të shoqërisë, që ka vendosur, siç tha ajo, të jetë përballë një sekti kriminal si Rilindja.
“Sigurisht që kam të njëjtin mendim për ata figura që ikëbn nga LSI siç ka presidenti, ne i kemii larguar ata persona. E kemi larguar për shkak të dokumentacionit që kemi grumbulluar për këta njerëz. Mosha 18-24 vjeç janë ata që kanë më shumë energji dhe përbëjnë pjesën më të madhe e vitale të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ne bashkëpunojmë me PD-në, jemi bashkë për të larguar Ramën. Ne ndahemi në ideologji. Kjo sepse LSI ka ideologji integrimin europian të vendit, ka ideologji të saj që Shqipëria të ketë më shumë njerëz, Lëvizja Socialiste është parti social-demokrate. Rilindja ka cenuar integritetin territorial, duke nisur nga kufijtë e Kosovës etj. Ne duam të luftojmë kundër sektit kriminal”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi deklaroi se, në takimet që realizon, sheh se njerëzit e presin me shumë kërshëri, pasi janë të zhgënjyer.
Kryemadhi theksoi se edhe socialistët ndihen tërësisht të zhgënjyer nga Rilindja, duke thënë se vetëm LSI qëndron pranë shqiptarëve.
“Njerëzit po reagojnë, ata janë jo vetëm pozitivë, por janë edhe të revoltuar për faktin sesi po drejton sot qeverisja. Kam qenë në Elbasan, Korçë, Fier, Lushnjë, zona të Tiranës, kudo dhe takimet e mia janë me strukturat e PS-së, sepse kemi përfunduar procesin e konfirmimit të votës.
Socialistët ndihen të zhgënjyer dhe të përdorur. Njerëzit nuk shohin më bindjen politike, por shikojnë autoritetin e kandidatit që ata do i përfaqësojë. Pika më e fortë e LSI është mbajtja e fjalës dhe qëndrimi pranë njerëzve. Rilindja ka marrë pushtetin e socialistëve dhe vepron për xhepat e pesë njerëzve. LSI është e vetmja forcë politike që ka një prodhimtari të jashtëzakonshme të brezave politikanë”, u shpreh Kryemadhi.