Një familje shqiptare me 7 anëtarë ka mundur që t’i shpëtojë vdekjes, duke u hedhur nga pallati, pasi kishte rënë një zjarr. Fatmirësisht nuk ka asnjë viktimë edhe pse janë plagosur të 7 anëtarët e familjes. Bëhet fjalë për dy prindërit, 4 fëmijët dhe një xhaxha i tyre. Të gjithë janë shtruar në spitalin e Riminit, qytet ku edhe ka ndodhur ngjarja e rëndë. Mësohet se ata janë hedhur nga kati i 2 i pallatit ku banonin.
Zjarri mësohet se kishte rënë në një apartament në katin e parë të pallatit ku jetonin dhe tymi ka mbushur menjëherë shkallët. Nëna 31 vjeçe dhe një fëmijë 7 vjeç janë dërguar me urgjencë në spital me kodin e kuq. Ndërsa burri 40 vjeç dhe dy vajza 8 dhe 4 vjeçe, si dhe një foshnje 3 muajshe janë në spital, por jo në gjendje të rëndë. Ndërkaq xhaxhai i tyre 30 vjeç ka marrë dëmtime të lehta.
Fqinjët në tentativë për t’i ndihmuar kishin vendosur në tokë disa dyshekë me qëllim që t’i ndihmonin ata që të bënin rënien më të butë. Apartamenti në katin e parë është shpallur i pabanueshëm.