Pse ky kryeministër po tenton sërish jo zgjedhje të lira?

Nga Red VARAKU

Me ç’po duket i vetmi opsion i kryeministrit për një mandat të tretë po materializohet vetëm tek një megaprojekt për të vjedhur sërish zgjedhjet.

Prova më e qartë për këtë është shkelja brutale e kushtetutës, mosndëshkimi i dosjeve 339 dhe 184 si dhe angazhimi sërish i grupeve kriminale për të bërë presion dhe shantazhuar qytetarët.

Ndërkohë, sulmet fizike mbi qëndrestarët dhe goditja e zyrave elektorale të Opozitës ditët e fundit paralajmërojnë një proces që mund të degradojë në konflikt civil midis qytetarëve dhe bandës në pushtet.

Sigurisht, projekti për vjedhjen e zgjedhjeve është një opsion i një njeriu të dëshpëruar dhe paranojak, i cili e ka kuptuar që e ka trashur zullumin.

Ky projekt nuk dëshmon vetëm vetëdijen që ka ky njeri për disfatën elektorale qe e pret në 25 prill, por njëkohësisht dëshmon që ky kryeministër është aq i pashpresë, sa me sa duket ka vendosur që të përdorë bllokimin e rrotacionit si mënyrë për të negociuar fundin e tij, duke dhënë kështu një mesazh shumë dekurajues për mbështetësit e tij.

Se sa do t’ia arrijë kësaj, kur dihet që këto zgjedhje janë kryekusht i BE për hapjen e negociatave dhe zhbllokimin e integrimit dhe pritet të zhvillohen nën monitorimin e rreptë të miqve të Shqipërisë , kjo pritet të shihet deri ditën e zgjedhjeve.

Por, ajo që është e qartë është që për shkak të papërgjegjshmërisë së tij, tani nuk ka përballë vetëm Opozitën e Bashkuar, por ka përballë të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët nuk mund ta pranojnë kurrsesi modelin Aziatik të qeverisjes, pa gjykata, pa parlament, pa votë të lirë.

Një komb, popullsia e të cilit është 97 % pro-perëndimor, nuk do ta lejojë dhe as nuk do ta tolerojë që ai të arrijë ta largojë edhe më shumë Shqipërinë nga Europa duke vjedhur apo manipuluar zgjedhjet e prillit.

Eshtë pikërisht ky reagim demokratik përmes një vote masive pro -perëndimore në 25 prill, që në fakt pritet të përcaktojë edhe përmasën e ndërhyrjes ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës shqiptare.

Përmasë që garanton ndëshkim të bandës që ka kapur shtetin shqiptar dhe paralajmëron që për herë të parë do të kemi një rrotacion të mirëfilltë pa pazare në kurriz të interesit të qytetarëve.

Artikulli paraprakMeta thirrje qytetarëve nga Vlora: Me pasaporta, me karta, me shpata, të gjithë në votime në 25 prill!
Artikulli tjetërVaksinat me pikatore që Edi Rama po sjell këto ditë po përdoren për familjarët e qeveritarëve