Nisja e vitit akademik u shoqërua me debate dhe akuza të ashpra mes deputetëve të PD dhe Kryeministrit Edi Rama. Opozita akuzoi qeverinë se ka lënë kuotat bosh në universitetet publike, duke detyruar qëllimisht gjimnazistët të regjistrohen në universitetet private, skemë kjo sipas tyre thellësisht korruptive dhe e mirorganizuar. Në përgjigje të akuzave, Kryeministri tha se skema funksionoi, duke akuzuar opozitën se shkaktoi panik. “Fituan një shkollë sipas standardit tënd, por nuk fituan të drejtën e studimit ku dëshironin dhe ku e meritonin, kjo është beteja dhe lufta jonë”, tha deputeti demokrat, Luçiano Boçi. Nga ana e saj, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli replikoi me Ramën, duke e akuzuar si Kryeministrin e turpit që duhet të largohet. “Unë turpërohem, sepse je Kryeministri i vendit tim”, tha Topalli. “Jo Kryeministër ke ngel ti mor burr, ke kaq ditë që ke ngelur në klasë. Si paska data të tjera, është dita e parë dhe vitet e para janë bosh auditorët”, tha Boçi. Rama ka replikuar me ish-kryeparlamentaren Jozefina Topalli për kuotat e mbetura bosh në universitete. Topalli akuzoi Ramën se po favorizon privatët për të shkuar atje studentët dhe për këtë e të tjera do të ishte e gatshme ta rrëzonte nga karrigia, por ky i fundit e quajti “aktore të mirë”, që shkonte rrotë më rrotë me Tinka Kurtin, teksa i përmendi rastin e fotos së një vajze që mbante në dorë seancën e kaluar, e cila nuk kishte fituar shkollën. “Vulgarizim, vjen në Parlament për të hequr vëmendjen nga problemet e vendit. Nëse do të ishte për mua do të sillja njerëzit para Kryeministrisë për të të rrëzuar, je vulgar e sadist. Universiteti në Francë, Vjenë e Milano ka javë e muaj që ka nisur. Sot vendet bosh në universitetet tona nuk janë zënë, pasi i ke mbajtur studentët në ankth, panik e frikë për të mos shkuar në degën që duan ata kanë shkuar në universitetet private që të shërbejnë ty si zvarranik”, tha Topalli. “Unë dola me foton e asaj vajze. Ajo vajzë ishte përfaqësimi i një brezi me të cilët ke abuzuar emocionalisht. Ti për të favorizuar universitetet private. Ajo që po të them është se sot një vit ti nuk do të jesh këtu. Kaq mbaji shënim”, vijoi ajo. Nga ana tjetër, Topalli ka folur në seancën e djeshme plenare mbi buxhetin faktik të 2015-ës, duke renditur disa nga ato që Topalli i quan dështime të qeverisë Rama. “Vitin e kaluar ikën nga Shqipëria 67 mijë shqiptarë, 200 mijë aplikuan për lotarinë amerikane. 80% të rinj dhe të reja, mbi 23 mijë familje që kërkuan azil më 2015. Sa i takon raportimeve ndërkombëtare mund të përmend Doing Biznes ku Shqipëria radhitet minus 40 vende për klimën e biznesit. Këtu e kemi të qartë si u masakrua një biznesmen. Ka një rënie të prodhimit industrial, bujqësor, rënie e kreditimit, të fitimit të kompanive, eksportesh. Vitin e kaluar për shkak të politikave të çmendura, rritja e çmimit të energjisë ka shkuar në 23%, niveli i investimeve është 4.3% i PPB, minimali i 25 viteve. Ndërkohë që në qeverisjen e mëparshme ishte 9.9%. Mosrealizimi i investimeve publike ndërkohë që borxhi publik ka arrit nga 63% më 2013 në 73%. Jo rritje rrogash, pensionesh, është zvogëluar fondi për politikat sociale”, tha Topalli duke e cilësuar po ashtu si alarmante situatën e kanabisit në vend. Po ashtu, deputetja demokrate i ka bërë thirrje Kryeministrit Rama që të shkarkojë nga detyra kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi.
Kryesore
Continue to the categoryKrimi bën kërdinë në Shqipëri, policia “mbledh gëzhojat”, qytetarët të pasigurt...
Nga Rigels Seliman
Rendi publik në Shqipëri ka arritur në një pikë kritike, ku krimi i organizuar po bën kërdinë dhe qytetarët ndihen gjithnjë e...