Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, gjatë debatit në news-24, në Real Story, u përgjigj për disa pyetje dhe qendrime kritike ndaj Opozitës.
Sa i përket frymës për fitoren, Bardhi u shpreh se ajo jo vetëm ekziston, po është shumë e prekshme kudo në terren. Bardhi i tha z.Minxhozi se mjafton të vijë një ditë në Elbasan ku ai gjendet çdo ditë, për të parë se si edhe socialistë të ndershëm, mezi po presin 25 prillin për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes.
Sa i përket sondazheve që merren shpesh si argument nga analistët, Bardhi u shpreh se një shifër e rëndësishme nuk merret parasysh, që janë ata që nuk preferojnë të përgjigjen. 30% e tyre janë logjikisht jo me qeverinë, pasi druhen prej saj. Sekretari i Përgjithshëm i PD theksoi se e bën diferencën të madhe dhe në favor të Opozitës.
Gazment Bardhi tha se, nuk ka asnjë ndarje te PD me LSI. Ato janë bashkë në këto zgjedhje, si koalicion. Duke komentuar marrëveshjen e firmosur me aleatët, Bardhi tha se ajo që ndodhi dje, ishte thjesht një formalizim i një koalicioni që ka kohë që funksionon dhe është në një linjë e qendrim politik.