Ançeloti kthen Bajernin e Hajnkes

Strategu italian, Karlo Ançeloti gjeti më në fund çelësin e suksesit në Champions. Ndeshja kundër PSV-së nxori në pah ndryshimet taktike të Bajernit në krahasim me tre duelet e fundit nga të cilat nuk fitoi asnjë. Ndryshimet taktike u ndërmorën në repartin sulmues.
Për herë të parë këtë sezon, Ançeloti hodhi në formacion treshen sulmuese, Myler, Levandovski dhe Roben. Të tre shënuan gol, ndërsa holandezi, përveçse shënoi golin e parë me kokë në Champions, dha dhe dy asistet e golave të Mylerit dhe Levandovskit. “Ishim të bashkuar dhe të mbyllur që në fillim. Secili u përpoq të jepte më të mirën dhe funksionoi shumë mirë. Pozicioni i ri në krahun e majtë më dha hapësira dhe mundësi kombinative duke bërë shpeshherë rokada me Robenin dhe Levandovskin”, sqaroi Myler për “Kicker”.
Në fillim të ndeshjes, pyetja ishte nëse Myleri do të përshtatej me skemën 4-3-3, me Levën dhe Robenin në formacion. Përgjigjja ishte: Po. Robeni startoi në pozicionin e tij, ndërsa Myler në pozicionin e pazakontë, në të majtë.
“Tomasi është një lojtar që mund të luajë kudo. Kam 7 vite që luaj me të dhe e njoh mirë lojën dhe stilin e tij. Më pëlqen shumë kombinimi me Tomasin. Shpresoj që ta shijoj sa më gjatë lojën me të”, deklaroi Roben, i cili në moshën 32-vjeçare shënoi dhe golin e parë me kokë në Champions.
Teksa Ançeloti gjeti çelësin e suksesit me treshen sulmuese, pritet që loja e Bajernit të jetë akoma më shumë interesante me rikthimin e Riberisë. Sipas trajnerit italian, mesfushori francez do të rikthehet brenda 15 ditëve. Analistët e gazetës prestigjioze “Kicker” parashikojnë që Ançeloti të rikthejë skemën e vitit të tripletës nën drejtimin e legjendarit Jup Hajnkes. Sistemi 4-2-3-1 do të jetë zgjidhja e problemeve të luksit.
Në këtë formë Ançeloti do të ndërtojë formacionin më të mirë në botë me Riberinë në të majtë, Mylerin në qendër, Robenin në të djathtë dhe Levandovskin qendërsulmues. Kjo do të ishte referenca ideale për të ëndërruar tripletën e dytë. Sulmit i bashkëngjitet Vidal-Tiago në mesfushën defensive dhe prapa tyre mbrojtja më e mirë në botë me Alaba, Humels, Boateng dhe Lahm së bashku me portierin Nojer.

Artikulli paraprakSkandali me tatimet, nuk lejon apelim nga bizneset
Artikulli tjetërDonnarumma: Unë, kapiten i Milanit pas 10 vitesh