Paul Pogba arriti të paguajë një përqindje të vogël nga shuma rekord e transferimit të tij te Manchester United me dy gola në sfidën e Europa League, ku “Djajtë e Kuq” u imponuan ndaj Fenerbahçes.
Tashmë, në “Old Trafford” kanë nisur të shtohen admiruesit e mesfushorit francez, pas kritikave në javët e fundit, ndërsa trajneri Murinjo kërkoi më tepër kohë që lojtari të shfaqë formën optimale. “Jam i kënaqur me performancën e skuadrës e gjithashtu edhe me lojtarë të veçantë. E vendosëm veten në vështirësi kur humbëm sfidën e parë në grup dhe kjo fitore kishte shumë rëndësi, pasi nëse do të shkonim në Stamboll pa 3 pikë, do të ishte më keq për ne”, tha Murinjo.
“E dimë se çfarë futbollisti është Pogba, por duhet t’i japim kohë që të tregojë potencialin e tij. E njoh futbollin italian nga vjen Pogba, e di si luajnë në Serinë A, që është krejt ndryshe nga Anglia. Jemi ndryshe në intensitet, në hapësirë dhe në qarkullimin e topit. Prandaj, Paul Pogba-së i duhet kohë”, tha Murinjo. Manchester United ka 6 pikë në Grupin A dhe suksesi në Europë ishte i duhuri për moralin para sfidës së të dielës kundër Chelsea-t.