Një paralajmërim i frikshëm ka ardhur nga Rusia dhe është Sergei Aleksandrovich Markov, këshilltar i Presidentit rus, Vladimir Putin, që ka deklaruar se lufta mund të nisë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA të 8 nëntorit.
“Këto janë tensionet më serioze mes Moskës dhe Uashingtonit prej dekadash. Lufta mund të nisë përpara 8 nëntorit. Personalisht kam nisur të mbledh rezerva ushqimore, që të fshihem nëse nis lufta. Ju sugjeroj të bëni të njëjtën gjë”, citon të ketë thënë Markov.
Markov është i njohur me deklarata të natyrës së luftës, ku më parë kishte parashikuar një luftë në kufirin me Ukrainën.
Tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë rritur në masë të madhe kohëve të fundit, pas invadimit të Rusisë në Ukrainë dhe bombardimeve të saj në Siri. Gatishmërinë e saj luftarake, Rusia është duke e reklamuar ditëve të fundit edhe ndaj shteteve evropiane, duke shkelur hapësirat ajrore dhe detare të tyre.