Lideri i opozitës, Lulzim Basha u prit si kryeministër i vendit nga banorët e Kombinatit. Qytetarë të shumtë e pritën me brohoritje shefin e opozitës duke e ndalur në rrugë dhe duke e ururar për një fitore të thellë në zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë bashkëbisedimeve në rrugë banorët ngritën problematika të shumta nga kriza e thellë social-ekonomike, deri tek procesi i rindërtimit nga tërmeti.
Pikërisht për këtë proces, Basha i dha garanci qytetarëve se pas 25 prillit, si kryeministër i vendit do ta përmbyllë rindlttimin e do ti japë fund vuajtjeve të familjeve që kanë humbur banesat e tyre.
“Rindërtimi është kthyer në një skemë abuzimi, vjedhje dhe shpërdorimi. Kjo është arsyeja kryesore dhe arsyeja e vetme pse njerëzit po vuajnë. Se këta edhe rindërtimin e kanë parë si një mundësi për të vjedhur njerëzit. Si një mundësi për të mbush xhepat e tyre. Unë ju garantoj që qeverisja e ardhshme do të ketë ekspertë që do të përshpejtojnë dhe do t’i japin fund procesit të zvarritur të të gjithë familjeve të dëmtuara nga tërmeti sipas kërkesave të tyre, jo sipas planeve të oligarkëve dhe të hajdutëve. Prandaj 25 prilli është një ditë ndryshimi për të gjithë dhe është një ditë fitoreje edhe për familjet e goditura nga tërmeti. Ne do të bëjmë procesin transparent, do ta përshpejtojmë. Ne do t’i japim fund kalvarit tuaj të vuajtjeve”, tha Basha gjatë bisedës me qytetarë të shumtë që kishin dalë rrugëve për ta takuar.
Kreu i PD, tha se ndryshe nga Rama ai nuk premton për fushatë, por vjen me një plan angazhimesh konkrete për t’i realizuar pas 25 prillit.