Koordinatorja e PD e fushatës zgjedhore për Kavajën, Grida Duma gjatë një takimi me fermerë u shpreh se, sot nuk ka asnjë subvencion për të mbështetur realisht bujqësinë edhe pse ajo është forca ekonomike e Shqipërisë.
Ajo tha më tej se, me programin e saj qeverisës pas 25 Prillit, Partia Demokratike do të ulë shpenzimet e fermerëve për pajisjet e mekanizmit, imputet bujqësore bazë, plehrat kimike, farërat, fidanët, produktet e mbrojtjes se bimëve.
“Me 25 prill, Shqipëria fiton! Bujqësia e mban Shqipërinë me prodhim dhe punë, ju mbani bujqësinë e jeni përkulur në sakrificë.
Shumë probleme kanë lindur për shkak se pjesa më e madhe nga ju nuk kanë më fëmijët në shtëpi. Të rinjtë janë larguar nga Shqipëria. Të tjerë janë në vështirësi sepse produkti që prodhojnë nuk jep asnjë fitim e qumështi shitet më lirë se uji. Nuk ka asnjë subvencion as për plehrat kimike as për mjetet bujqësore as për asgjë. Fshati gjoja hyri në sistem demokratik, por doli nga sistemi ekonomik!”, theksoi Duma.