Drogë shqiptare me vlerë 2.5 milionë euro në Gjermani

Një sasi e madhe marijuane u kap në Bavari të Gjermanisë dhe me këtë trafik lidhet emri i një shqiptari. Bëhet fjalë për 230 kg lëndë narkotike që u kap në një kamion, i cili drejtohej nga 57-vjeçari shqiptar, emri i të cilit për momentin nuk publikohet nga policia gjermane. Mediat shkruajnë se, droga është futur nga Shqipëria në Itali dhe më pas është nisur drejt Gjermanisë. Sipas mediave, droga ishte futur në disa tuba plastikë, të cilët më pas futeshin tek këmbët e arkave dhe mbylleshin.
Tubat ishin me gjatësi 60 centimetra dhe diametër 11 centimetër. Janë gjetur 299 tuba plastikë dhe secili kishte 800 gram marijuanë. Kjo është sasia më e madhe e marijuanës e sekuestruar në Bavari me vlerë 2.5 milionë euro. Kamioni është ngarkuar në Itali dhe kishte destinacion Holandën.
Droga u zbulua rastësisht. Policia ndaloi shqiptarin në një postbllok pranë Pasaut, në shtetin federal gjerman të Bavarisë. Dyshimi për drogë lindi, pasi gjatë kontrollit, kamioni binte erë kanabis. Qeni antidrogë zbuloi sasinë e konsiderueshme të lëndës narkotike të fshehur nën dyshemenë e karrocerisë. Shoferit shqiptar 57-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia gjermane i është dhënë masa e sigurisë arrest me burg. Prokuroria ka firmosur urdhërarrestin për 57-vjeçarin shqiptar, i cili i mohon akuzat, duke thënë se ishte vetëm drejtues i mjetit dhe nuk mbante përgjegjësi për ngarkesën.

Pas Italisë dhe Greqisë edhe drejt Malit të Zi

Pas Italisë dhe Greqisë, kanabisi shqiptar po “udhëton” drejt Malit të Zi. Policia Kufitare në Shkodër ka goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike. Në vendin e quajtur “Brigje”, Malësi e Madhe, efektivët kanë konstatuar dy persona, të cilët po lëviznin në drejtim të kufirit me Malin e Zi. Policët janë vënë në ndjekje, por për shkak të terrenit të thyer malor, të pyllëzuar dhe kushteve atmosferike jo të favorshme nuk kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e dy trafikantëve. Nga kontrolli i ushtruar në terren u gjetën në dy çanta dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 38 pako të mbështjella me letër natriban me peshë 42 kg e 350.6 gr kanabis.

Greqi, 25 kg kokainë në kamionin me mish

Një sasi e konsiderueshme prej 25 kg kokainë është sekuestruar nga policia greke, duke çuar në pranga edhe disa persona. Sipas policisë greke, lënda narkotike po transportohej me një kamion frigorifer i ngarkuar me mish për llogari të një kompanie të njohur. Në mënyrë të veçantë, brenda mishit ishte fshehur lënda narkotike prej 25 kg kokainë.
Kamioni u zbulua në Patra pak orë më parë. Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia greke në rajonin e Korintit, si dhe dy shtetas grekë në Patra. Aksioni i policisë po vazhdon për të zbuluar pjesëtarë të tjerë të rrjetit. Dyshohet se droga është futur nga Shqipëria, pasi ka ardhur tranzit nga vendet e lindjes. Dy qytetarët grekë nga Kreta jetojnë në Athinë, ndërsa kryenin vizita të shpeshta në ishull. Ata kanë udhëtuar edhe jashtë vendit me kamionë të kompanisë ku punonin.

Artikulli paraprakLimaj-Ramës: S’mundesh me qenë patriot në Beograd kur po shkatërron vendin tënd
Artikulli tjetërPD: Reagim i fortë qytetar për të ndalur rrënimin e vendit