18-vjeçari Besmir Vathi, i cili ishte në mesin e 11 të arrestuarve gjatë operacionit të organizuar nga Prokuroria në Krujë ku u sekuestrua 1.3 ton kanabis në një magazinë deklaroi dje në Gjykatë se kishte lënë shkollën për të punuar te magazina e drogës. Ai ka sqaruar se ishte jetim dhe i duhej të punonte, pasi duke pastruar boçet në magazinat e kanabisit merrte 10 mijë lekë në ditë. “Jam në vitin e katërt, ka pohuar ai, dhe më duhet të ndihmoj familjen, pasi jam jetim e për këtë më duhej të punoja ca ditë”, deklaroi ai para trupit gjykues.
Më herët, të njëjtin version dha gjatë masës së sigurisë edhe i mituri Ersaldo Nikolla, 16 vjeç, i cili për shkak se është i mitur, prokurori kërkoi detyrim paraqitjeje, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ferit Sula, 45 vjeç, kishte pranuar se punonte për pastrimin e paketimin e drogës. Ai u la në masën arrest me burg.
Dy djemtë, të cilët janë nga i njëjti fshat ku u zhvillua aksioni antidrogë, ndodhen mes 11 të arrestuarve për katër vepra penale, më e rënda e tyre “grup i strukturuar kriminal” dhe “prodhim e shitje e narkotikëve”. U lanë në arrest me burg edhe punëtorët e tjerë në vendin ku u sekuestrua bima narkotike: Erjon Vathi, Ali Kuçi dhe Ferit Sulaj. Ky i fundit i rrëfeu gjyqtarit se është nga Burreli dhe se pronari i magazinës, Kujtim Rexhepi, e kishte telefonuar duke e pyetur “a do punë?”
Ferit Sula, 45 vjeç, kishte pranuar dhe punonte për pastrimin e paketimin e drogës. Ndërkohë që, të shtunën do të zhvillohet masa për 6 persona të tjerë, ku ndodhen edhe të dyshuarit kryesorë si sponsorizuesit e kultivimit të drogës.
Reagon Topalli: Shtet i kalbur nga korrupsioni!
Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli është prekur nga dëshmia e Besmir Vathit, 18-vjeçarit që kishte braktisur shkollën për të punuar në magazinën e hashashit në Krujë. Ai ka rrëfyer para trupit gjykues, se ishte jetim dhe është detyruar të lërë shkollën për të pastruar boçet e hashashit.
Gjykata e ka lënë në burg dhe kjo ka ngjallur reagimin e ashpër të ish-kryeparlamentares Topalli, e cila poston në profilin e saj në Facebook lajmin e publikuar, për historinë e Besmirit. Deputetja e Shkodrës e cilëson padrejtësi mbajtjen e tij në burg, ndërsa thotë se ai është detyruar të lerë shkollën për të mbajtur frymën me bukë dhe në mungesë të punës është detyruar të pastrojë boçet e drogës.
“O padrejtësi! O gjykatës të pashpirt! O shtet i kalbur! Po pse Besmirin në burg, e bosët në pushtet! Pse faji i Besmirit është?! Faji është i të gjithë neve, përveç Besmirit e Besmirëve që janë të pashpresë e pa bukë nga kjo kalbësirë politike e sotme. Arrest me burg, për një 18-vjeçar jetim, që kishte lënë shkollën me mbajt frymën; e meqë punë nuk ka, filloi të pastrojë boçet e kanabisit. Po pse kjo është lufta ndaj drogës? Kjo është cinizmi i pushtetarëve e bosëve të mafies, që nesër do bëjnë statistikat e suksesit “të luftës kundra drogës” me jetimët e vegjël. Shikojeni o miq, fytyrën e djalit jetim pas hekurave. Ai është vetëm viktima e një shteti të shpartalluar nga korrupsioni, nga mediokriteti e krimi që ka kap majën”, shkruan Topalli në Facebook.
R.POLISI