Gabigol, De Boer nuk dëshiron të rrezikojë

U bashkua me Interin me bujë të madhe sepse ai është një nga talentet më premtues të futbollit brazilian, por gjatë javëve të fundit në Milano, sulmuesi nuk ka gjetur hapësirat që shpresonte. Çfarë po ndodh me Gabigol? I paguar 29 milionë euro, lojtari që tërhoqi vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane deri tani numëron vetëm 20 minuta në fushën e lojës. Ndeshja e vetme ku është aktivizuar ishte ajo ndaj Bolognas. Për trajnerin De Boer, braziliani ka ende nevojë për kohë, pasi nuk është ambientuar ende me futbollin europian. Trajneri holandez ka marrë përsipër rritjen graduale të sulmuesit brazilian, i cili po pranon me qetësi vendimin e tij.
De Boer është një ekspert në rritjen e të rinjve dhe këtë e ka treguar te skuadra e Ajaxit. Gabigol ka arritur ta bindë në stërvitje, pasi aftësitë teknike nuk i mungojnë, por për drejtuesin e stolit, aktivizimi titullar që në muajt e parë do të ishte një bast për të dhe për Interin, prandaj ai nuk dëshiron të rrezikojë në një moment kaq delikat. Një tjetër arsye është edhe fakti se gjatë muajve të fundit, ish-sulmuesi i Santosit ka pushuar vetëm një javë dhe lodhja në muskujt e tij ndihet. Ai ishte një nga protagonistët e Brazilit në olimpiadë ku fitoi medaljen e artë dhe turneu olimpik duket se i ka kushtuar shumë energji. Me pak fjalë, interistët duhet të presin ende edhe disa kohë për të shijuar klasin e djaloshit të artë të futbollit brazilian.

Artikulli paraprakMançester Siti gati të “shqyejë dyert” për Mesin
Artikulli tjetërHysaj tek United