Pas Rey Manajt, një tjetër talent kuqezi pret transferimin te Interi. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin, Fabio Sakaj. Mesfushori i Modenas është një prej yjeve të rinj që mbahen nën vëzhgim në Itali. Sezonin e kaluar, kur Hernan Crespo drejtonte stolin e skuadrës nga Emilia Romanja u mahnit nga potenciali i djaloshit shqiptar i lindur në Itali nga një familje emigrantësh.
Fabio Sakaj zotëron shpejtësi dhe teknikë të lartë në dribling, duke shfaqur të dhënat e një mesfushori të kompletuar, që përveç grintës dhe dinamizmit zotëron vizion të lojës dhe është mjaft i vlefshëm taktikisht për ekipin, sepse mund të luajë në të gjithë pozicionet në mesfushën e rreshtuar me 3 apo 4 lojtarë.
Të gjitha cilësi, të cilat e mahnitën Crespon, me ish-sulmuesin e famshëm argjentinas që gjatë sezonit të kaluar e aktivizoi në 8 ndeshje në Serinë B italiane. Në këtë sezon, me Modenan që luan në Serinë C, mesfushori kuqezi është shndërruar në titullar të padiskutueshëm dhe pret zhvillime nga Interi.
Në merkaton e janarit, zikaltërit fituan duelin me Sassuolon për shërbimet e talentit shqiptar, duke firmosur edhe një opsion që ende nuk e kanë ushtruar, për ta afruar Fabio Sakajn gjatë këtij sezoni. E ndërsa shpreson se së shpejti do të marrë një telefonatë për t’iu bashkuar sa më shpejt Interit, mesfushori pret edhe sinjale nga kombëtarja. Në tetor 2015 lojtari iu bashkua përfaqësueses së 17-vjeçarëve, e ndërsa grumbullimi me kombëtaret kuqezi të moshave është më i mundshëm, ëndërron që De Biasi ta marrë në konsideratë në të ardhmen e afërt.