Italia e Greqia bllokuan 7.2 tonë drogë në 10 ditë

Trafiku i drogës vijon pa ndërprerje drejt Italisë dhe Greqisë. Në këto dy shtete janë futur plot 4 tonë drogë vetëm në 10 ditët e fundit, ndërsa në vendin tonë janë bllokuar rreth 3 tonë kanabis në operacionet e organizuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror. Vetëm ditën e djeshme u sekuestruan 650 kg drogë në brigjet italiane. Droga ishte dërguar nga bregdeti i Vlorës me një gomone, e cila ishte braktisur nga trafikantët. Ndërsa në Greqi u sekuestruan para tre ditësh plot 1.7 ton kanabis e mbërritur nga Shqipëria, kjo sasi droge ishte trafikuar nga Klement Balili, i cili edhe pse ndodhet në kërkim ndërkombëtar e vijon trafikun e drogës pa asnjë problem për policinë shqiptare.

11 tetor
Sekuestrohen 734 kg marijuanë në Leçe

Më 11 tetor, Policia italiane bëri të ditur se ka sekuestruar 734 kg marijuanë në një gomone në zonën e Leçes. Gomonia ishte nisur nga bregdeti i Vlorës dhe kishte dy motorë prej 250 kuaj-fuqi dhe një tjetër motor rezervë në bord. Operacioni i sekuestrimit u zhvillua në Torre Chianca në Leçe. Sipas mediave italiane, vlera e drogës së sekuestruar e ndarë në 33 koli arrin në 7 milionë euro nëse do të hidhej në treg. Mediat italiane shkruajnë se, dy skafistët nga Vlora A.P. 43 vjeç dhe G.S. 39 vjeç kanë tentuar që të arratisen, por janë kapur nga motovedetat e Guardia di Financës.

11 tetor
Sekuestrohen 300 kg kanabis në Greqi

Policia greke bllokoi 300 kg kanabis sativa në afërsi të Janinës. Ajo bëri të ditur se droga ishte futur nga Shqipëria dhe po transportohej me dy makina. Në pranga kanë rënë dy persona, por emrat e tyre nuk u bënë të ditur nga policia e vendit fqinj.

12 tetor
3 kuintalë kanabis kapet në brigjet italiane

Më 12 tetor, Policia italiane sekuestroi 3 kuintalë kanabis të mbërritur nga Shqipëria në dy operacione. Një skafist shqiptar me një skaf 125 kuaj fuqi ka tentuar të shkarkojë në brigjet italiane, në San Cataldo, 277 kg kanabis. Aty po e prisnin tre bashkëpunëtorët e tij, por policia italiane i ka pritur në breg, ndërsa shkarkonin mallin dhe i ka arrestuar në flagrancë që të 4 trafikantët. Në të njëjtën ditë u sekuestrua nga policia italiane në Agi një sasi prej 42.5 kg drogë e llojit marijuanë, ndërsa në pranga ka përfunduar një 38-vjeçar shqiptar. Shqiptari me iniciale O.N, ma banim në Cesena, u kap në afërsi të autostradës A14 në Forlì.

18 tetor
1.3 tonë kanabis bllokohet në Fushë-Krujë

Rreth 1.3 tonë kanabis u sekuestrua në një magazinë në fshatin Derven të Fushë-Krujës. Droga u gjet në një magazinë në afërsi të rrugës nacionale ku ishte në procesin e tharjes. Operacioni u organizua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas informacioneve të SHISH. Po në të njëjtën ditë u sekuestruan 50 kilogramë kanabis dhe 385 bimë në fshatin Kir të Shkodrës.

18 tetor
132 kg kanabis sekuestrohet në Janinë
Më 18 tetor 132 kilogramë kanabis, të ardhur nga Shqipëria, u sekuestruan në Janinë nga Policia greke. Lënda narkotike u gjet në një makinë, ndërsa shoferi dhe një person tjetër që ndodhej me të janë larguar me shpejtësi sapo kanë hasur policinë greke. Policia greke bëri të ditur se makina ishte me targa shqiptare.

19 tetor
224 kg kanabis sekuestrohen në Lushnjë
224 kilogramë kanabis u sekuestruan në fshatin Zhamë të Lushnjës. Lënda narkotike u gjet në një banesë të braktisur. Policia nuk ka mundur të arrestojë asnjë person.

20 tetor
Sekuestrohet në Greqi 1.7 ton drogë e Balilit

1 ton e 669 kg marijuanë ka sekuestruar policia greke gjatë një operacioni anti-drogë më 20 tetor në qytezën Afidnes, në rrethinat e Athinës. Droga ishte magazinuar aty dhe po paketohej me qëllim që të dërgohej në Holandë, Gjermani dhe Belgjikë. Mediat greke shkruajnë se, marijuana e sekuestruar vinte nga Shqipëria dhe 6 persona përfunduan në pranga, disa prej tyre shqiptarë.
Madiat greke shkruanin një ditë më parë se, ngarkesa prej 1.7 ton drogë e kapur në afërsi të Athinës është trafikuar nga Klement Balili. Një nga gazetat më të mëdha në Greqi, “Ethnos”, shkruante se, “pas dërgimit në Greqi të ngarkesës prej 1 ton kanabis, është një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës, i lidhur me 44-vjeçarin shqiptar, Klement Balili, që njihet edhe si “Eskobari” i Ballkanit”.

21 tetor
1.4 tonë drogë kapet në Dukagjin e Kurvelesh

Policia e Shtetit bëri të ditur se, organizoi më 21 tetor një operacion të gjerë për shkatërrimin e parcelave me kanabis. U njoftua se aksioni ka nisur nga Veriu në Jug dhe ka sekuestruar rreth 1.4 tonë drogë në të gjitha operacionet e ditës së premte, në Dukagjin, Kurvelesh Memaliaj e Vlorë. Por ajo që ra në sy është fakti, se në Vlorë u bllokuan vetëm 45 kg drogë ndonëse e gjithë zona është e mbuluar me kanabis që nga bregu i Lumit e deri në Malin e Çukës, plantacione që janë në zotërim të habilajve, njerëzve të afërt të ministrit Tahiri.

22 tetor
Kapen 650 kg marijuanë në Pulia

Policia italiane zbuloi në orët e para të ditës së djeshme 650 kilogramë marijuanë si dhe një skaf të braktisur. Droga u gjet në brigjet e Puglias, në komunën e Monopoli, në plazhin e Santo Stefano, mbas murit rrethues të një vile pushimi. Fillimisht janë gjetur 137 pako me lëndë narkotike, ndërsa pak më tutje në breg të detit është zbuluar edhe një gomone e braktisur. Mediat italiane shkruajnë se, lënda narkotike vinte nga Shqipëria, përmes ujërave të Adriatikut, ashtu si tonelatat e sekuestruara në muajt e kaluar në rajonin e Puljas. Ndërkohë, që nëse do të dilte në treg, droga kapte vlerën e 3 milionë urove.

22 tetor
Sekuestrohen 47 kg marijuanë në Greqi

Policia greke sekuestroi dje 47 kg marijuanë të futur nga Shqipëria pranë Kosturit. Droga u kap në makinën që drejtohej nga një shqiptar. Makina është larguar me shpejtësi, në përpjekje për t’iu larguar policisë. Vetëm pak minuta më pas, mjeti është gjetur i braktisur në Ksirolivadhi, Veria. Nga kontrolli i ushtruar në mjet, policia greke gjeti 47 kg 349 gramë marijuanë, e ndarë në 65 pako dhe e vendosur në 2 çanta.

22 tetor
Gjenden 370 kg kanabis në bodrumin e shtëpisë
Plot 370 kilogramë kanabis sativa në proces tharje është gjetuir dje nga policia në një shtëpi në Memaliaj. Bëhet e ditur se, lënda narkotike u gjet gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e shtetasve K.M dhe F.M. Bima narkotike, e cila ishte në proces tharje, me peshë totale 370 kg, u gjet në dy bodrumet e banesës, si dhe në një kasolle afër shtëpisë.

Artikulli paraprakKërcënimi nga Rusia
Artikulli tjetërBashkim kundër së keqes dhe marshim popullor