Alizoti: Rama është fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë

Drejtuesi politik i PD-së për Qarkun e Beratit, Tomorr Alizoti, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, deklaroi se pandemia më e madhe në Shqipëri është vetë Edi Rama.

Alizoti thekson se spitalet janë shndërruar në kampe përqendrimi, prandaj shumë qytetarë zgjedhin shtëpinë për t’u kuruar nga virusi.

“Krahu tjetër që bën fushatë janë shou. Rama nuk ka fytyrë që të flasë për pandeminë, sepse në kohë të Covid, ai çoi trupa për të shkatërruar teatrin, duke abuzuar. Çelja e fushatës së PD-së ishte natyrale e spontane. PS-ja vepron edhe pas orës 20.00. E kam kaluar vetë koronavirusin, dhe infermieri që vjen në shtëpi do 50 mijë lekë, duhet oksigjen dhe ka shtrenjtësi të çmimeve. Spitalet janë shndërruar si kampe përqendrimi, sepse kanë frikë njerëzit nga spitalet. Ka njerëz që hidhen nga dritarja. Teza se fushata e PD-së përhapi pandeminë, vjen nga një i çmendur si Rama. Pandemia më e madhe në Shqipëri është Rama dhe ekipi i tij”, tha Alizoti.

Tomorr Alizoti nënvizon se PS nuk ka asnjë lloj programi, prandaj dhe Rama bën më së tepërmi shou.

“Fushata e PS ishte shou, sipërfaqësor, nuk pashë plan ekonomik të tij. Rama është ndjekës, nuk ka kauzë politike, është i çakorduar totalisht. Rama gjithë diskursin politik duke u marrë personalisht me kundërshtarin. Është fatkeqësi e Shqipërisë që kryeministri merret se kur vjen kryetari i opozitës, nuk ka gjëra serioze dhe merret me të tilla gjëra”, u shpreh Alizoti.

Duke folur për gjendjen në qarkun Berat, alizoti vlerësoi se situata është dramatike, me njerëz që mezi arrijnë që të mbijetojnë.

“Ka varfëri të madhe në Berat. Varfëria dhe mjerimi në Berat është në kohë mesjetare. Konfuci thoshte që refuzoj të jem i pasur në një vend të varfër. Berati është në mjerim, një qytet 2400-vjeçar. Kam parë nëna të divorcuara me fëmijë, që edhe nëse i kap pandemia, do të vdesin. Kjo është Shqipëria e vërtetë. Berati është të keqen e Kandaharit. Shqipëria është një tragjedi e madhe.

Unë vij nga të persekutuarit, im atë ka qenë në burg dhe e di se çfarë heq një nënë për të rritur fëmijët. Rama është fëmijë blloku dhe nuk e dinë se çfarë është vuajtja. Nuk mund të shikojmë më fëmijë të vegjël që mbledhin kanaçe. Ekonomia mban edhe perandori dhe këtu jam i bindur se Rama ka dështuar”, deklaroi Alizoti.

Po ashtu, Alizoti tha se në Shqipëri, në çdo zonë ka kriminelë, që trembin kandidatët e opozitës.

“Zoti Klosi në Berat ka tetë vjet. Qytetarët iu kam thënë se a ju ka ardhur ndonjëherë kryetari i qarkut apo kryetari i bashkisë. Zotëria ka qenë ministër, ka tetë vjet në pushtet. Pushteti i gjatë të bën të keq. Kur Rgani qëndroi tetë vjet, nuk mund të rrijë Rama e Klosi 12 vjet. Derisa Berati është në mënyrë mizerable, kryetari i qarkut s’ka pse të rrijë më në qeveri.

Blloku socialist nuk ka kurajo të debatojë, ata kanë frikë të përballen. Niveli i krimit në terren është problem. Banditët në Elbasan erdhën e u zunë për Ramën. Gjithë kjo reformë në drejtësi dhe për vjedhje votash nuk shkoi kush në burg. Kur bie vota, bie demokracia. Në Shqipëri ka kriminelë në çdo zonë, që trembin opozitën”, pohoi Alizoti.

Për Alizotin, është e rëndë që shqiptarët dhe sirianët të jenë “kokë më kokë” në shifra, sa i përket azilkërkuesve për në Gjermani.

“Rama është e keqja më e madhe e vendit në tranzicion. Politikë do të thotë të shikosh sa para kanë qytetarët dhe situata është dramatike. Shqiptarët janë më kokë me sirianët për azil në Gjermani. Njerëzit e lëshojnë vendin ose për luftë ose për mjerim të tmerrshëm. Shqiptarët janë baraz me Sirinë, në kohën që popullsia jonë nuk është as çereku i shtetit sirian. Negociatat nuk po hapen”, u shpreh Alizoti.

Në fund, Alizoti tha se dështimi më i madh i Ramës janë vaksinat.

“Dështimi më i madh janë vaksinat. Shqiptarët nuk janë kavje, që merr vaksina në Rusi dhe në Kinë. Serbia ka plan. Rama nuk di asgjë nga ekonomia. Ai ka vetëm negativitet në diskurs. Rama na del madje edhe në telefon”, përmbylli Alizoti.

Artikulli paraprakKQZ kërkon “hetim të thelluar” për Tom Doshin
Artikulli tjetërReagimi i fortë i SHBA: Votoni ato Parti që çojnë vendin në BE, do marrim masa ndaj atyre që nxisin dhunë