Kandidati i PD për Qarkun Shkodër e nisi zyrtarisht fushatën elektorale me të rinjtë në Shkodër, duke i ftuar ata të votojnë për PD dhe ndryshimin. Bashkimi i shumë njerëzve të rinj në këtë fushatë është për Bardh Spahinë sinjali më i mirë jo vetëm për fitoren e PD në Qarkun e Shkodrës me 7 mandate, por për fitoren në të gjithë Shqipërinë, duke i dhënë vendit një kryeministër perëndimor si Lulzim Basha.
“Të ftojmë çdo të ri e të re të bashkohet me ne për ndryshimin në 25 prill. 25 Prilli nuk është finishi, por starti i një kohe të re, i një modeli të ri të të bërit politikë, i një modeli të ri qeverisje, ku zëri kryesor do të jetë zëri i të rinjve. PD dhe programi i saj janë e vetmja mundësi që për shkodranët të rikthehet shpresa, për familjet, për rininë, për ekonominë, për rikthimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE. Kjo është sfida jonë e përbashkët, për punësim, ekonomi, integrim”, u shpreh Bardh Spahia në takimin hapës me të rinjtë.