Selami Xhepa: Janë të kërcënuara siguria dhe stabiliteti

-Sipas jush, cilat do të jenë pasojat afatshkurtër dhe afatgjatë të mbjelljes masive të hashashit në ekonomi?
Kultivimi masiv i hashashit po bëhet një nga fenomenet më shqetësuese për shëndetin e shoqërisë. Nuk duhet parë ngushtësisht në planin ekonomik, pasi implikimet e këtij fenomeni janë të njëjta me pasojat e ekonomisë kriminale; ato rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Paratë e botës së krimit janë kërcënuese për sigurinë dhe stabilitetin e vendit; kërcënim për demokracinë dhe institucionet demokratike; janë një rrezik real që mban peng zhvillimin e vendit dhe ndërtimin e një shoqërie të vlerave europiane. Duke u bërë “solidar” me Policinë e Shtetit, krimi do të dobësojë edhe më fort shtetin tashmë të dobët ligjor. Për momentin, duket sikur ky aktivitet po destinohet vetëm për tregjet e huaja. Por, mundet të mos jetë e largët që edhe të rinjtë nga zonat rurale të shndërrohen në përdorues të këtyre lëndëve narkotike. Shqipëria nuk do të jetë më vetëm prodhuese, por dhe konsumatore e drogave dhe narkotikëve. Degradimi ekonomik dhe social i shoqërisë do të jetë një realitet shumë i dhimbshëm.

-Mbështetësit e kultivimit të këtij produkti pohojnë se të paktën ai është një burim i mirë i hyrjes së valutës në Shqipëri. Si e komentoni këtë qëndrim?
Kjo është një qasje dritëshkurtër. Shikoni shembullin tipik të Kolumbisë. A janë fermerët e pasur për shkak se janë kultivues të lëndëve narkotike apo janë thjesht skllevër të narkotrafikantëve? Nuk ka ndonjë rast në histori që grupe sociale, siç janë fermerët, të jenë pasuruar, duke kultivuar lëndë të tilla; janë pasuruar individë, grupe dhe organizata kriminale, të cilat kanë kërcënuar demokracinë, shtetin ligjor dhe kanë mbajtur kombet në varfëri.

-Cilat janë sugjerimet tuaja për hapat e menjëhershëm që duhen ndërmarrë për orientimin e ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm…?
Zhvillimi i qëndrueshëm është një sfidë që prej kohësh qëndron e shtruar si objekt debati dhe shqetësimi publik. Nuk mund të jetë një rrugë apo një masë e vetme, por një tërësi veprimesh dhe aksionesh publike, të cilat duhen ndjekur në mënyrë të vazhdueshme, duke hequr dorë nga demagogjitë dhe retorika politike elektorale. Nëse turizmi, për shembull, është një nga mënyrat se si vendi mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, atëherë rastet si ai i investitorit të huaj të Gjirit të Lalëzit që u dhunua apo rasti i projektit të Kakomesë, nuk duhet të ekzistojnë. Nga ana tjetër, dhënia e sipërfaqeve më me potencial turistik në zonat bregdetare investitorëve për të ndërtuar apartamente apo vila për shitje, nuk i shërbejnë aspak një strategjie të zhvillimit të turizmit. Nëse fermat bujqësore mund të krijohen mbi baza vullnetare midis fermerëve, shteti le të subvencionojë deri edhe në shuma të mëdha modernizimin e tyre, përfshi investime direkte dhe jo thjesht asistencë teknike. Kultivimi i farërave autoktone, këshillimi bujqësor, kontrolli i plehrave kimike dhe ruajtja e shëndetit të bimëve, etj., duhen realizuar seriozisht dhe jo thjesht t’i kemi si shërbime në letër. Nëse minierat dhe burimet natyrore janë gjithashtu një burim zhvillimi, atëherë kontrolli mbi menaxhimin e tyre dhe përfitimi publik nga shfrytëzimi i tyre duhen rikonsideruar. Kjo linjë gjykimi mund të ndiqet për parqet industriale, projekte serioze strategjike investimi nga firma që jo vetëm sigurojnë fitime për veten – gjë që është arsyeja e parë e krijimit të tyre, por që krijojnë edhe përfitime për vendin në afatin e tanishëm dhe të gjatë. Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është një recetë, por një përgjegjësi që duhet kuptuar mirë nga shtetarët dhe duhet të zhvillohet përditë nga agjencitë qeveritare.

Artikulli paraprakTabulatet e telefonave të kartelit trembin Bushin
Artikulli tjetërDuka: Bashkë drejt fitores së zgjedhjeve