Tre vjet më parë Rama premtoi se do të hapte 300 mijë vende pune. Në një kohë që investimet e huaja kanë ikur, ekonomia është në ditë të zezë për shkak të mbylljes së mijëra bizneseve sipas të dhënave të QKR-së, Rama nuk ka shumë alternativa. Politikat e tij ekonomike janë një dështim i plotë. E vetmja zgjidhje për Ramën është ekonomia kriminale.
Ai ka paraqitur tre alternativa për të përmbushur premtimin e dhënë. Alternativa e parë punësim në kartelet e drogës. Vendi është kthyer në një plantacion gjigant droge dhe numri i të punësuarve si skllevër në kartelet e drogës është me mijëra. Nuk ka shifra të sakta, por ekonomia kriminale e drogës me mbështetje qeveritare ka sjellë për momentin një punësim sezonal, ku punëtorët paguhen nga 15 mijë lekë në ditë deri në 30 mijë. Janë ditët e fundit në këto kartele. Korrja ka përfunduar dhe tani është procesi i fundit që po bëhet në magazinimin e drogës, ai i qethjes dhe përgatitjes në thasë për të nisur eksportet. Ndryshe nga një vit më parë çmimi për një kilogram drogë ka rënë ndjeshëm. Ndërsa një vit më parë një kilogram tregtohej nga 700 euro në 1000 euro në fillim të sezonit këtë vit çmimet janë ulur ndjeshëm për shkak të mbjelljes masive të drogës. Aktualisht një kilogram hashash në zonën e Vlorës shitet për vetëm 100 euro. Ulja e çmimit ka ardhur për dy arsye. E para është arsyeja e mbjelljes masive të drogës, ndërsa arsyeje e dytë ka të bëjë me faktin se drejtuesit e karteleve që mbledhin drogën nga fshatarët e kanë ulur në mënyrë artificiale çmimin. Drejtuesit e karteleve e kanë monopolizuar çmimin e drogës, sepse ata janë të vetmit që kanë mbështetjen e ministrit dhe drejtorëve të Policisë për të bërë edhe eksportin e drogës në drejtim të vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Një fshatar kurrsesi nuk mund të bëjë dot eksportin e drogës për shkak edhe të çmimeve të larta që duhet të paguajë për transport. Aktualisht çmimi për një kilogram hashash të transportuar kap shifrën e 400 deri në 500 eurove. Çmimet janë të larta për shkak të rrezikut nga kapja e transportit të drogës nga policitë e vendeve të tjera si ato të Italisë dhe Greqisë.
Nga kultivimi i kanabisit këtë vit të fituar kanë dalë vetëm dy kategori të këtij trafiku. Kategoria e parë është ajo e policisë. Policia është përfituesja më e madhe e mbjelljes masive të drogës në të gjithë Shqipërinë, sepse ata në mënyrë të organizuar kanë vjelur që në fillim taksën personale për të lejuar mbjelljen e drogës. Fitimi i tyre ka qenë neto dhe ata janë kthyer sot në bosët e këtij trafiku droge. Kategoria e dytë janë drejtuesit e karteleve të drogës në qeveri që kontrollojnë të gjithë drogën. Kategoria e tretë, ajo e disa fshatarëve që kanë rrezikuar, duke marrë edhe kredi për të mbjellë hashashin dalin të penalizuar nga ulja e çmimit që nuk mbulon koston e mbjelljes dhe të kultivimit.
Përveç drogës një alternativë tjetër e Ramës për hapjen e vendeve të punës është industria e importit të plehrave. Me këtë ligj, Rama parashikon që të sjellë në Shqipëri disa nga impiantet kancerozë më të rrezikshëm që operojnë sot në Europë, të cilët janë të interesuara për të gjetur fuqi të lirë punëtore. Rama ka si alternativë pra hapjen e vendeve të reja të punës për shqiptarët si plehraxhinj, ndërsa përfitimi i tij personal korruptiv është i pallogaritshëm në lejimin e këtyre impianteve kancerozë. Ligji është rikthyer në Parlament nga Presidenti dhe beteja për të mos lejuar helmimin e shqiptarëve për llogaritë personale të Ramës nuk do të jetë e lehtë dhe këtu Rama do të rrezikojë shumë.
Alternativa e tretë që po qarkullon prej javësh nga biznesmenët e klientelës së Ramës është legalizimi i prostitucionit. Kështu, shumë prej atyre që mbështetën Ramën tre vite më parë të vinte në pushtet, Rama u thotë se e ka një vend për pune për ta në shtëpitë publike ku mund të paguhen dhe të mos ankohen se janë të papunë, sepse siç thotë Rama “punë ka, por duhen specialistë”.
Këto janë alternativat që Rama ofron për shqiptarët. Drogë, plehra dhe prostitucion. Këto janë tre reformat më të mëdha të tij si Kryeministër. Ndërsa të parën, drogën, e ka bërë fakt të kryer, beteja po zhvillohet për plehrat dhe më pas edhe për prostitucionin. Shqipëria një republikë e krimit të organizuar është projekti i Ramës që po kërkon të implementohet.
Arben SHAHINI