Kordinatorja e Partisë Demokratike për Kavajën, Grida Duma deklaroi sot se, aty ku ka projekte kombëtare, është PD-ja: “Rruga e Kombit, NATO, liberalizimi i vizave, TAP, kudo ku ka zhvillim është sërish Partia Demokratike”.
Në takimin me banorë të zonës së saj elektorale, Duma ka theksuar se, “Edi Rama është e shkuara!” dhe se “ajo ku ne duhet të përqëndrohemi sot është plani ekonomik”. Në këtë këndvështrim ka përmendur faktin se projektet më të mëdha të realizuara nga qeveria e PD-së, mbeten të vetmet dhe vazhdojnë edhe sot të spikatin.
“Aty ku sot ka rrugë është realizuar nga Partia Demokratike, aty ku ka projekte kombëtare është sërish Partia Demokratike. Rruga e Kombit, NATO, liberalizimi i vizave, TAP, kudo ku ka zhvillim është sërish Partia Demokratike. Ajo çka është imediate është të aktivizojmë e të ndërtojmë ekonominë sot e t’i rikthejmë Shqipërisë forcën”, u bëri thirrje kandidatja e PD-së, qytetarëve.