Drejtuesi Politik i PD në Qarkun e Shkodrës, Helidon Bushati denoncoi sot shkeljen e Kodit Zgjedhor nga Ilir Beqaj, drejtues politik i PS-së, po në këtë qark, i cili u shfaq sot me personelin shëndetësor në Pukë e Fushë Arrëz duke bërë fushatë për PS.
“Institucionet publike nuk mund të kthehen në zyra elektorale në shërbim të propagandës rilindase, që sot, rrezikon të infektojë standardet e këtyre zgjedhjeve.
Jemi vetëm në ditët e para të fushatës zgjedhore dhe nuk kanë vonuar të tregojnë fytyrën e vërtetë. Atë të shkeljës së ligjit.
Nuk përbën më çudi fakti se Ilir Beqaj shkel ligjin. Shqetësues është fakti se nuk i tremben forcës së ligjit.
Institucionet e varësisë të Ministrisë së Shëndetësisë nuk mund të jenë peng dhe nuk mund të keqpërdoren nga një ish-ministër dhe kandidat që mund të mendojë se është mbi ligjin”, shprehet Bushati.
Ai thekson se përdorimi i institucioneve, fondeve dhe administratës publike, është shkelje e rëndë dhe flagrante e nenit 91 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e aseteve publike në fushatën elektorale dhe burime njerezore.
Bushati i bën thirrje misionit vëzhgues OSBE-ODIHR dhe përfaqësive diplomatike të BE-së dhe SHBA-së të kenë parasysh këto shkelje flagrante të ligjit dhe cënimin e zgjedhjeve të lira.
“Ilir, ka një fije të hollë që e ndan njerzillekun me cinizmin. E mesa lexoj këtë e ke të vështirë ta kuptosh.
Të falenderosh bluzat e bardha për punën e tyre është vërtetë njërzillek, dhe ty si krijues i “Shëndetësisë falas” të takon.
Por ta shoqërosh një falenderim ndaj tyre me #votopartinë që infektoi të ardhmen e Shqipërisë, është cinizëm.
Ta kuptoj hallin, edhe pse nuk ka cinizëm dhe shkelje ligji që të ndan ty nga humbja e 25 Prillit që të ka rezervuar Shkodra”, shprehet Bushati, duke publikuar edhe foton e mëposhtme.