Drejtuesi Politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi u takua me dhjetra të rinj të zonës së Belshit ku u kërkoi atyre të bëhen pjesë e këtij momenti historik, jo thjesht të rrotacionit politik, por të ndryshimit të modelit qeverisës.
“Kënaqësi dhe përgjegjësi të jem para të rinjve. Këtë fushatë unë dhe ekipi i Elbasanit kemi vendos një objektiv, për të kosoliduar e zhvilluar aleancën me rininë.
Ju jeni aleanca jonë natyrale sepse misioni ynë kryesor pas 25 prillit është të kthejmë shpresën, shanset dhe mundësitë që ju të qendroni këtu.
Të heqim çdo iluzion se këtu nuk jetohet. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që brezi i ri dhe prindërit tanë, të kenë një jetë më të mirë. Duhet vetëm vullnet politik dhe ne sëbashku me kryeministrin e pas 25 prillit, këtë do ta bëjmë realitet. Asnjë i ri nuk do të ketë arsye të largohet për shkak se s’ka mundësi.
Nëse largoheni ju, në krye do të ngelen ata, llumi i shoqërisë që janë të interesuar që ju të ikni, në mënyrë që ata të shtojnë pasuritë e paratë që vjedhin”, u shpreh Bardhi.
Numri 2 i PD u bëri të ditur të rinjve të Dumresë se për të sjellë ndryshimin, nuk mjafton vetëm ardhja e një qeverie të re. Duhet përfshirja e të rinjve si garanci që të mos kemi më kurrë një qeveri si kjo që punoi 8 vite për 10 vetë dhe varfëroi 3 milionë shqiptarë.
“Nuk na duhet dhe nuk mjafton vetëm rrotacioni politik në Shqipëri. Na duhet të ndryshojmë model, që mos të kemi më kurrë një qeveri si kjo që punon për 10 njerëz e varfëron 3 milionë shqiptarë. Për këtë, do kemi nevojë që në ekip të kemi të rinj si ju për të menaxhuar e administruar, të vijnë në krye ata që janë të zotë, që e meritojnë për t’i shërbyer vendit dhe interesit të qytetarëve”, u shpreh Bardhi.
Ai pohoi se program i PD e ka në thelbin e vet krijimin e shanseve për të rinjtë që të studiojnë e të ndërtojnë karrierën dhe të ardhmen e tyre këtu.
“Ne kemi në planin e punës prioritet përmbushjen e nevojave bazike që ka rinia për të qendruar këtu. 1 ne 3 studentë, do të ketë stazh pune të paguar. Kjo do të mundësojë rritje profesionale, përvojë, kontakte. Plani ynë do të krijojë vende të reja pune me pagë dinjitoze që përballon koston e jetesës.
Ku ndodh në botë që një maturant me talent apo i mirë në mësime të mos ketë mundësi me shku ne universitet sepse familja nuk përballon dot kostot e studimit?
Ne kemi marrë angazhimin që për ata që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë, tarifa e studimit do të jetë zero”, pohoi Bardhi.
Drejtuesi politik u tha të rinjve se gjenden përpara një momenti historik, ku pas 30 viteve demokraci dhe 8 viteve keqeverisje, me vendimin e tyre, me votën e 25 prillit, ta kthejnë Shqipërinë në rrugën normale të zhvillimti dhe integrimit.
“Prandaj me 25 prill ju keni në dorë të ardhmen e Shqipërisë, jo thjesht për të ndryshuar qeverinë por për të kthyer shpresën. Vendimin për të kthyer shpresën e keni ju, dhe pas 25 prillit, sëbashku me ju do ta bëjmë ndryshimin realitet. Përpara se të shkoni me votu, mendoni për veten tuaj dhe kujtoni vuajtjet e prindërve në këto 8 vite. Ata që votojnë për herë të parë duhet ta dinë që janë në një moment historik. Votën trajtojeni si pushtet që ushtrohet me përgjegjësi, jo me tifozllëk.
Kemi shansin që pas 30 viteve demokraci dhe pas 8 vitesh keqqeverisje, të jemi shpresë për çdo shqiptar. Nuk duhet t’ia lejojmë kurrë vetes që të zhgënjejmë besimin që do marrim nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, shumica absolute e të rinjve. Kini besim se të gjithë bashkë do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, deklaroi Bardhi.