Interi thellon krizën

Frank de Boer sheh t’i lëkundet pozicioni i tij pas humbjes 2-1 të Interit në fushën e Atalantës. Trajneri zikaltër në përfundim të sfidës së Bergamos edhe pse shprehet se ndien besimin e drejtuesve, e pranon se ekziston mundësia që ai të shkarkohet para takimit të së mërkurës ndaj Torinos në “San Siro”. “Nuk e di nëse do të jem në krye të Interit deri të mërkurën, thjesht mund të punoj fort për ta kaluar këtë situatë. Tohir dhe Suning nuk janë këtu, është një moment i vështirë për të gjithë ne, veçanërisht për mua. Ndiej akoma besimin e drejtuesve”, u shpreh De Boer.
Megjithatë De Boer mendon se nuk duhen hedhur poshtë hapat pozitivë që ka bërë skuadra, pavarësisht rezultateve negative të javëve të fundit. “Në Bergamo është gjithmonë e vështirë, por Inter e dhuroi pjesën e parë. Në këtë fraksion luajti vetëm Atalanta. U përmirësuam gjatë pjesës së dytë, por duhet të luanin kështu që në fillim. Është shumë e vështirë kur humbet tri takime radhazi, megjithatë mendoj se mund të përmirësohemi. Njerëzit harrojnë shumë shpejt kur rezultatet janë të dobëta. Për mendimin tim kemi bërë hapa para, por kur rezultatet mungojnë gjithçka bëhet e vështirë. Na duhet një fitore për besimin tonë”, tha ai.
Interi vazhdon të jetë në krizë të thellë. Zikaltërit e drejtuar nga Frank de Boer regjistrojnë humbjen e tretë rresht në transfertën e Bergamos, ku Atalanta dominoi në lojë dhe rezultat. 2-1 fituan vendasit në fund të 90 minutëshit ku edhe një herë Etrit Berisha u aktivizua titullar dhe tregoi një formë të shkëlqyer, duke ndihmuar skuadrën e tij të rikthehej te fitorja pas 4 viteve ndaj Interit. Ishte Andrea Masiello ai që zhbllokoi sfidën që në minutën e 10.
Eder në minutën e 50 vendosi baraspeshën, duke krijuar iluzionin se Interi mund ta kthente këtë ndeshje. Pas disa tentativave të bllokuara nga Berisha, Atalanta fitoi një 11-metërsh në minutën e 88 të shndërruar në gol nga Pinilla. Një humbje që e zbret Interin në vendin e 13 të klasifikimit me 11 pikë, ndërsa Atalanta ngjitet në vendin e 8. Në sfidën tjetër mes Crotones dhe Napolit, skuadra e Maurizio Sarrit fitoi me vuajtje 2-1. Jose Maria Callejon shënoi golin e parë që në minutën e 17.
Manolo Gabiadini e la skuadrën me 10 lojtarë në minutën e 31, pasi u ndëshkua me karton të kuq, por pak sekonda më pas Napoli gjeti edhe golin e dytë me autor Nikola Maksimoviç. Crotone e ngushtoi diferencën në fund me golin e shënuar nga Aleandro Rosi. Një sukses që e ngjit Napolin në kuotën e 17 pikëve, ndërsa Crotone zhytet edhe më shumë në fundin e klasifikimit me vetëm 1 pikë në 9 javët e para. Në sfidën tjetër, Pescara u mund 3-1 nga Udinese. Ndeshjen ku Memushaj u aktivizua për 64 minuta, e zhbllokoi Theraux në minutën e 9. I njëjti lojtar dyfishoi në të 71-ën. Alberto Aquilani ngushtoi diferencën 3 minuta më pas. Ishte Duvan Zapata ai që vulosi fatin e takimit në minutën e fundit.

Artikulli paraprakPse degët më të kërkuara në universitete janë ende bosh?
Artikulli tjetërLigji i faljes së tatimeve, demagogji apo skemë falsifikimi?