Cristiano Ronaldo po kalon një moment jo të mirë. Ka raste kur nuk të mjafton të shënosh një mori me gola, të udhëheqësh Portugalinë drejt fitimit të kampionatit të parë europian në historinë e përfaqësueses luzitane dhe të jesh kandidati numër 1 për herë të fituar për herë të 4-t Topin e Artë. Kur luan te një skuadër si Reali të Madridit as një lojtari si Cristiano Ronaldo që është shënuesi më i mirë në historinë e klubit merengues nuk i lejohet ta ketë topin vetëm për vete pa llogaritur fare që në fushë janë edhe shokët e skuadrës.
Sfida e fundit ndaj Athletic Bilbaos nuk ishte aspak pozitive për yllin portugez. Publiku i “Santiago Bernabeut” nuk toleron as një lojtar si ai dhe në ndeshjen ndaj skuadrës baske Ronaldo mori si dhuratë vërshillmat e tifozëve për sjelljen e tij në fushë. Mjaftuan dy episode që Crisitano të përfundonte në qendër të kritikave nga ana e publikut të “Bernabeut”. Në pjesën e parë në sfidën e fituar me rezultatin 2-1 ndaj Bilbaos Ronaldo nuk shërbeu për Bale në një aksion që mund të sillte një gol të sigurtë, ndërsa në fund të takimit tentoi vetë portën, ndërkohë që mund të pasonte shumë mirë për Moratën, i cili me portën e boshatisur do ta kishte thjeshtë një lojë fëmijësh për ta dërguar topin në rrjetë.
Nuk mund të flitet për një acarim të tifozëve me idhullin e tyre, por gjithsesi zhgënjimi mbetet që një kampion si ai bën të tilla veprime. Ky sezon nuk ka nisur në mënyrën më të mirë për CR7, që ka shënuar vetëm 2 gola në 6 ndeshje të La Ligas dhe 2 të tjerë në 3 ndeshje të Champions-it. Tashmë mbetet kurioziteti për të parë se si do të sillen tifozët e Realit me Ronaldon në ndeshjes e të dielës së 6 nëntorit në “Bernabeu” ndaj Celtës.
Reali i Madridit përfitoi nga humbja e Atleticos ndaj Sevillas për t’u ngjitur në krye të klasifikimit në La Liga, pasi arriti të mposhtte 2-1 Atletic Bilbaon në “Santiago Bernabeu”. Los Blancos vuajtën shumë përballë skuadrës baske, megjithatë në fund morën maksimumin e mundshëm nga kjo sfidë me suksesin që erdhi nga stoli. Në minutën e shtatë, Isco ftoi në goditje Benzemanë, që shumë pranë zonës së portierit bëri më të thjeshtën, me topin që përfundoi në rrjetë. Një shpërqendrim në mbrojtjen madrilene në minutën e 27 u shfrytëzua nga Sabin që nuk fali i pambuluar në zonë. Goli që u dha fitoren Los Blancos u realizua nga Morata në të 83-ën, vetëm 8 minuta, pasi sulmuesi spanjoll kishte zëvendësuar Benzemanë.