Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimit me banorë në njësinë 16, ka dëgjuar ankesat e qytetarëve ndaj qeverisë.
Një qytetar tha se, ka votuar disa herë për të majtën, por është i zhgënjyer nga qeveria. Ai tregoi problemin e grabitjes së pronës dhe rropatjet me legalizimet që i ka përjetuar vet.
Basha tha se, qeveria e dalë nga vota e 25 prillit do të jetë e të gjithë shqiptarëve, qofshin këta të majtë apo të djathtë.
Qytetari: Kam qenë një njeri i majtë, por jam totalisht i zhgënjyer nga kjo qeveri. E kam votuar disa herë dhe ka qenë zhgënjim të gjitha herët që e kam votuar, sepse na kanë grabitur pronat. Kemi punuar jashtë shtetit si emigrantë në Itali dhe Greqi. Kemi kërkuar pse s’na legalizojnë, nuk na kanë pritur fare, kështu kush e do shtëpinë dhe Shqipërinë të votojë për Lulzimin.
Lulzim Basha: Të falënderoj shumë dhe ky është mesazhi jonë. Me ne fitojnë edhe të majtët edhe të djathtët. Me ne fiton e gjithë Shqipëria. Me 25 vota juaj nuk do të jetë thjeshtë votë për një parti politike. Do të jetë votë për familjen tuaj, do të jetë votë për t’i ndëshkuar ata që nuk i mbajtën premtimet dhe për të na dhënë ne mundësinë të korrigjojmë dështimet e këtyre 8 viteve dhe ne nuk do t’i ndajmë shqiptarët në të majtë dhe të djathtë.