Trump: Sistemi është i kalbur dhe i manipuluar

“The Indipendent”
Kanë kaluar dekada që kur Donald Trump nisi të lërë shenjën e tij në New York, një karrierë të gjatë në sektorin imobiliar dhe në botën artistike. Shumë pak mund të kishin parashikuar se manjati do të jepte një fjalim në vitin 2016 ku të rendiste gjërat që do të bënte në 100 ditët e para të presidencës së tij. Propozimet e Trumpit përfshijnë tkurrjen e financimit të programeve të Kombeve të Bashkuara për ndryshimin e klimës, frenimi i emiracionit nga vendet e luftës dhe projekte të diskutueshme si gazsjellëset dhe naftësjellëset Keystone.
“Ne paguajmë miliarda dollarë tek Kombet e Bashkuara”, tha ai. “Do ta rregullojmë vetë mjedisin tonë tani”. Fjalimi i dhënë ditën e shtunë ndodhi vetëm pak ditë pasi Trump tha se ka për t’i pranuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2016 “vetëm nëse është ai fituesi”. “Sistemi është tërësisht i kalbur dhe i manipuluar”, deklaroi ai, duke këmbëngulur se manipulimi i votave ishte përhapur kudo.
“1,8 milionë njerëz të vdekur janë regjistruar për të votuar dhe disa prej tyre kanë për të votuar. Pyes veten se si do të ndodhë kjo”, tha ai. “Do ta thithim kënetën në Washington dhe do ta zëvendësojmë atë me një qeveri të re nga populli dhe për popullin, më besoni”, shtoi ai.
Donald Trump premtoi se, Meksika do të paguajë për murin përgjatë kufirit amerikan dhe do të ketë një dënim minimal prej 2 deri në 5 vite burgim për njerëzit që rihyjnë në Shtetet e Bashkuara pasi janë deportuar, në varësi të sa herë janë përpjekur për t’u rikthyer. Financimi federal për ato qytete që strehojnë emigrantët e jashtëligjshëm nuk do të ekzistojë më, një premtim që shkaktoi brohoritje të larta nga turma e mbledhur në Pensilvani.
“Duam vetëm njerëz që na duan ne dhe duan vlerat tona. Dhe ka mënyra të ndryshme, përmes talentit, për ta përcaktuar këtë”, tha ai. Në botën e Donald Trumpit do të ketë një ndalim prej pesë vjetësh për politikanët e larguar që duan të bëhen lobistë, asnjë donator i huaj nuk do të ketë mundësi të mbledhë financime për zgjedhjet amerikane dhe do të ekzistojë një kufi mandati kushtetues për anëtarët e Kongresit. Rregullimet dhe punonjësit e qeverisë do të reduktohen gjithashtu. Por çdo regullim të ri federal, do të duhet të hiqen dy ligje, tha ai.
“Rregullimet janë duke vrarë ekonominë tonë”, tha ai përpara turmës. Prindërit mund t’i çojnë fëmijët në çdo shkollë që duan dhe veteranët mund të marrin recetat e tyre nga një doktor lokal. Aktualisht, ata janë të detyruar të kalojnë përmes Departamentit të Çështjeve të Veteranëve.
Brenda 100 ditëve të tij të ardhshme në presidencë, Donald Trump tha se mezi pret që të padisë të gjitha femrat që e kanë akuzuar për ngacmime seksuale pas zgjedhjeve. Ai tha gjithashtu se do të hapë çështje hetimi për “protestuesit e dhunshëm” gjatë takimeve të tij, të cilët ishin paguar nga fushata e Hillary Clinton.
Disa nga politikat e propozuara prej tij kishin më shumë tendenca socialiste, madje të stilit të Bernie Sanders, siç është frenimi i shkrirjes së kompanive, gjë që do të jepte më shumë pushtet në duart e pak njerëzve. Donald Trump u zotua gjithashtu se, nuk do të lejojë më kompanitë si Amazon të shmangin pagimin e taksave në Shtetet e Bashkuara.
Ai theksoi rastin e Comcast që kishte blerë “NBC”-në në vitin 2013 dhe tha: “Do të përpiqemi të prishim këtë marrëveshje dhe marrëveshje të tilla. Kjo nuk duhet të ishte lejuar kurrë që në fillim”. Kandidati republikan për president përsëriti edhe një herë zotimin e tij për të ofruar leje lindjeje të paguar dhe llogari kursimi për kujdestarët, gjë që shkaktoi një duartrokitje të ulët mes turmës.
Edhe pse kjo mund të duket më tepër ambicioze se ç’duhet, Trump u zotua duke thënë se ekonomia e Shteteve të Bashkuara do të rritet me 4 për qind çdo vit, edhe pse gjatë çerekut të parë të vitit 2016 është rritur me vetëm 1,1 për qind. “Po i kërkoj të gjithë amerikanëve të fillojnë përsëri të kenë ëndrra të mëdha”. Trump shtoi se do të krijonte mijëra e mijëra vende të reja pune dhe se do të shkatërronte Marrëveshjen amerikane të Tregtisë së Lirë. “Ne do të shkatërrojmë menjëherë marrëveshjet e tregtisë si Partneriteti Trans Paqësor, një katastrofë potenciale për vendin dhe do të heqim të gjitha kufizimet mbi industrinë e energjisë”.
“Unë do të heq kufizimet mbi rezervat e enegjisë që prodhojnë vende pune me vlerë prej 50 trilionë dollarësh, përfshirë edhe naftën, gazin dhe qymyrgurin e pastër. Ne do t’i dërgojmë minatorët tanë përsëri në punë”, u zotua kandidati republikan. “Nuk do të jetë më tregti e lirë, por tregti e ndershme. Do të jetë një tregti reale”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakFushata e Clinton: Nuk gëzohemi para kohe
Artikulli tjetërDhuna e tatimorëve ndaj biznesit, u mohojnë edhe apelimin