Kosovë, mosliberalizimi i vizave po dëmton biznesin

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, deklaroi se problemet politike në vend kanë dëmtuar zhvillimin ekonomik. Sipas tij mos liberalizimi i vizave, ka ndikuar që komuniteti i biznesit të humb si në kohë ashtu edhe në shuma të mëdha parash.
Gërxhaliu, tha se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) i ka efektet e veta nga vullneti politik. Por ai ka deklaruar MSA-ja, nuk është e plotë në kuptim të përgjithshëm, pasi që ka lënë kosovarët të geotizuar dhe kjo ka ndikuar shumë në lëvizje dhe komunikim ndërmjet kosovarëve, apo bizneseve kosovare në vendet evropiane. “Sipas analizave tona, biznesi kosovar, në tri vitet e fundit ka humbur 300 ditë për të marrë viza në ambasadat evropiane dhe kanë humbur miliona euro për aplikim”, ka thënë ai. Sipas tij, nga mos liberalizimi ka humbur imazhi i Kosovës. Ai ka thënë se, mungesa e lëvizjes ka bërë që kosovarët kanë blerë pasaporta nga vendet e rajonit.
Ai ka thënë se, që nga hyrja në fuqi e reformave fiskale në vitin e kaluar janë bërë shumë ndryshime pozitive. “Duhet që të jemi të vetëdijshëm se problemet ekonomike në Kosovës, janë grumbulluar për shumë vite dhe këto për t’i zgjidhur duhet kohë. Është e pamundur që këto probleme të zgjidhen sikur me një shkop magjik. Pra, nga Pakoja e re fiskale është e tepërt që të kemi pritje të mëdha. Për këtë duhet që të kemi analizë për efektet afatshkurtë, të mesëm dhe afatgjatë”, ka thënë Gërxhaliu për “Rtklive”.
Sipas tij, për të pasur një pasqyrë më të mirë se çka në të vërtetë do të ketë pozitivitet nga kjo reformë fiskale, duhet shikuar në planin afatgjatë. “Ne duhet që të punojmë që të përmirësojmë bilancin e pagesave, të rrisim eksportin e Kosovës, i cili do të mund që të ketë impakte pozitive në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të Kosovës”, ka thënë ai.
Gërxhaliu, ka vlerësuar se një shtet nuk mund që të jetojë vetëm, duke eksportuar para të gatshme. Gërxhaliu, ka folur edhe për bashkëpunimin Shqipëri-Serbi. Ai ka thënë se anashkalimi i Kosovës, në marrëveshje të ndryshme, nuk i bënë mirë bashkëpunimit. “Kosova është realitet, ajo ka institucionet e veta, kuvendit, qeverinë dhe institucione e tjera. Nuk mund që të ketë rrugë, Shqipëri Serbi, pa Kosovë. Pra është shqetësues qasja e tyre, në infrastrukturën ajrore dhe hekurudhore. Këto janë dëme që po i bëhen Kosovës. Me një fjalë Memurandumi i vitit 2009, Tadiq-Qosiq, është duke tentuar heshturazi të implemtohet”, ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket buxhetit që qeveria e Kosovës, e ka propozuar për vitin 2017 e që është dy miliardë euro, Gërxhaliu, ka thënë se nuk janë objektiva që nuk mund të arrihen. “Duhet që të jemi transparent, duhet që të sundojë ligji si dhe të kemi dialogim, në këto rrethana, kur biznesi të jetë i barabartë, kur të luftohet informaliteti, atëherë mund që të kemi këtë arritje”, ka thënë ai. Gërxhaliu, ka thënë se qeveria e Kosovës, nuk e ka komoditetin që të prishet me FMN-në, dhe se duhet koordinim me të që të kemi respektim të marrëveshjes.
Kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka folur edhe për projektin e Kompanisë, bordi i së cilës udhëhiqet nga Gjenerali Uesley K. Clark, e cila ka kërkuar të ketë monopolin në hulumtimin e rezervave të qymyrit në Kosovë. Kompania “Envidity Energy Inc” ka kërkuar nga Komisionit i Pavarur për Miniera dhe Minerale, tri licenca për hulumtim të qymyrit dhe bitumit në territorin e Kosovës. Ai ka thënë se është një qasje e gabuar e kritikëve, të cilët nuk janë kompetentë për atë punë. Sipas tij ardhja e brendeve të reja në Kosovë, është e mirëseardhur në Kosovës. Sipas tij debatet e tilla nuk e përmirësojnë imazhin e vendit.

Artikulli paraprakPakoja e Gregut, terror në zyrat e TNT-së pse nuk pagoi faturën 3 mijë lekëshe
Artikulli tjetërShtrenjtohet borxhi publik afatmesëm