Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burg gjyqtarin e Sarandës, Rasim Doda, i cili akuzohet për korrupsion pasiv. Sakaq, trupi gjykues vendosi që Dodës t’i hiqet për tre vite e drejta për të ushtruar profesionin. Organi i Akuzës kërkoi që gjykatësi Doda të dënohej me 5 vite, pasi gjykatësi i Sarandës akuzohet se i ka kërkuar një shumë prej 80 mijë eurosh të pandehurit në një çështje. Por avokatët e Dodës thanë se, do ta apelojnë vendimin, duke kërkuar pafajësinë e tij.
Ngjarja për të cilët akuzohet gjykatësi i Sarandës ka ndodhur në 19 prill të vitit të kaluar. Sipas Prokurorisë, një ditë para se ai të shpallte vendimin për një çështje civile të drejtuar prej tij, ai ka takuar në rrugë kallëzuesin H. B, palë në proces. Sipas këtij të fundit, i pandehuri i ka dhënë një fletë ku ishte dispozitivi i vendimit që do të shpallej të nesërmen, sipas të cilit kallëzuesi përfitonte një dëmshpërblim në shumën e 88.6 milionë lekë.
“Në këtë moment, i pandehuri Rasim Doda i ka bërë shenjë me dorë për ndonjë lek, duke i bërë me shenjë në pëllëmbën e dorës që kallëzuesit i ka lënë të kuptonte se kërkonte shumën prej 80.000 euro”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.
Pas këtij takimi, rreth orës 22:49 kallëzuesi i ka dërguar pandehurit një mesazh telefonik, duke i thënë se, “mos më merr në qafë kot, çdo muhabet e ke bërë me avokatin, bashkë komunikojmë dhe mirë është të ngelemi miq përjetë. H.B”.
Në datën 20.04.2015, i pandehuri Rasim Doda ka shpallur vendimin gjyqësor, duke lexuar vetëm dispozitivin e vendimit, me të cilin ishte vendosur pranimi i padisë së palës kundërshtare të kallëzuesit H. B, dhe rrëzimi i kundërpadisë së tij. Gjatë gjykimit, i pandehuri Doda ka kundërshtuar me forcë akuzën, duke e cilësuar kallëzimin dhe procedimin si një komplot ndaj tij.