Shullazi, me pistoletë në bark e duart në fyt Beqes

Zbardhen të tjera detaje nga dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja kundër Emiliano Shullazit dhe bandës së tij. Biznesmeni ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se Shullazi e ka kërcënuar me pistoletë në kokë përpara noteres për t’i marrë 30 për qind të pronës së ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Kërcënimi ka ndodhur, kur ata kishin shkuar në një zyrë noteriale në Durrës, për të regjistruar në emër të Shullazit 20% të pronësisë së hotel “Vollgës”, siç ishte rënë dakord më parë për shkak se 40-vjeçari e kishte ndihmuar biznesmenin ta regjistronte pronën në Hipotekë. Kur po nënshkruanin kontratën, Emiliano Shullazi merr vesh se një pjesë e ish-hotelit është shitur tek familja Kodra për 700 mijë euro. Biznesmeni ka thënë se ai ka nxjerrë menjëherë një pistoletë, që e kishte me vete dhe ia ka vënë në kokë, duke i kërkuar paratë e marra nga familja Kodra dhe 10% të tjera të pronësisë. Biznesmeni ka pranuar të firmosë për t’i dhënë Shullazit 30% të pronës dhe të paguajë paratë kesh.
Në dëshminë e biznesmenit Beqja, thuhet se si përfaqësues i kompanisë arabe Suadi Brothers, prona e të cilëve është ish-hotel “Vollga” në Durrës kishte kontraktuar një avokat si përfaqësues ligjor nëpër gjykata. Por, duke parë se në fillim të vitit 2014, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit vendosen kundër kompanisë arabe, avokati i Beqjas, i kishte propozuar zgjidhjen e problemit të proceseve gjyqësore, duke kontaktuar Emiljano Shullazin. Takimin me këtë të fundit, sipas deklarimeve, ia kishte mundësuar avokatit, ku edhe janë takuar mbrapa pallatit nr.40 në rrugën e “Kavajës”. Takimi i parë, ka thënë Beqja është zhvilluar në makinë të blinduar të Shullazit, mbrapa pallateve në këtë zonë. Ylvi Beqja në deklarime thotë se pas përshkrimit të situatës, Emiljano Shullazi kishte pranuar të merret me problemin e tij, duke kërkuar 20% të pronës.
Edhe pse ishte një shumë e madhe, pranova thotë Beqja në deklarime se nuk kisha zgjidhje tjetër. Takimi i dytë, sipas dëshmitarit të drejtësisë është bërë në gusht, në zyrën e noterit ku është nënshkruar kontrata e premtimit, duke lënë si detyrë që me regjistrimin e pronës do merret Shullazi 10% dhe në përfundim të të gjithë proceseve gjyqësore edhe 10% tjetër. Por me regjistrimin e pronës në Durrës, Beqja i shet një sipërfaqe të caktuar të pronës shtetasit Fejzi Kodra me vlerë 671 mijë euro.
Me të kaluar kjo shumë në llogari bankare, i dyshuari Shullazi ndryshon qëndrim. Ylvi Beqja thotë se nga marrëveshja për kalimin e 20% të pronës, Shullazi me anë të kërcënimit dhe dhunës ka kërkuar të nënshkruajë një kontrate të re dhurimi, ku Beqja i dhuron edhe 10% të pronës, para një notereje në Durrës. Ai tregon momentin kur Shullazi i kishte vendosur pistoletën në bark dhe dorën në fyt, duke kërkuar që të firmoste kontratën e dhurimit. Në dëshmi Beqja, thotë se Shullazin e ndiqnin nga pas 15 deri 20 persona me makina të ndryshme, duke dhënë si detaje momentin e nënshkrimit të kontratës së re, noteren e detyruan të mbyllë qepenin e zyrës, deri sa të firmoste Shullazi kontratën.
Biznesmeni Beqja i ka dërguar personalisht rreth 400 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër e ka paguar në 3 çeqe, të cilët janë tërhequr në bankë nga Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, në dhjetor të vitit 2015. Tërheqja e çeqeve prej tyre është provuar nga Prokuroria, në bazë të pamjeve filmike dhe disa dokumenteve të tjera të bankave ku është bërë tërheqja e parave. Për pjesën tjetër të dëshmisë pritet të merret në pyetje edhe noteri, para të cilit ka ndodhur kërcënimi, siç pretendon biznesmeni.

Artikulli paraprakDrogë e armë nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Italisë
Artikulli tjetërShqipëria, udhëtim në “Kanabistan”, aty ku droga rrit ekonominë