Misioni i pamundur i të rinjve shqiptarë

Nga Ethem AGA*

Mungesa e një mundësie punësimi për të rinjtë në fshat është një nga shkaqet kryesore të braktisjes së tij. Fushata zgjedhore aktuale duket se është e përqendruar tek marrja e maksimumit të votave në zonat e mbipopulluara “suburbane” të qyteteve të mëdha. Kësisoj ndihet si e lënë pas dore si problematika e qytetit, ashtu edhe ajo e fshatit. Papunësia është një problem i mprehtë social, si në zonat urbane ashtu dhe në zonat rurale, por  në rastin e këtyre të fundit  është faktori përcaktues i braktisjes në masë.  Tre tiparet më të dukshme të kësaj dukurie janë –  shkatërrimi i rrugëve dytësore dhe rurale; lënia djerrë e tokave bujqësore;  mbyllja e një numri gjithnjë e më të madh shkollash, për shkak të mungesës së nxënësve.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, papunësia e të rinjve shqiptarë nga mosha 15 – 29 vjeç është më e madhe sesa ajo e grupmoshave të tjera. Të dhënat zyrtare tregojnë se është diku te 21.7%, por ndërkohë statistikat ndërkombëtare flasin për shifra shumë herë më të mëdha. Problemi i papunësisë së të rinjve në zonat rurale është akoma më i mprehtë, pasi dhe mundësitë e punësimit janë thuajse inekzistente. E  vetmja mundësi është ajo e vetëpunësimit, kryesisht në bujqësi, apo  në fushën e shërbimeve –  bare,  restorante, lokale, që kanë  njëfarë lidhjeje  me agro-turizmin. E vetmja mundësi për të rinjtë në zonat rurale, për të bërë përpara në jetë, e për të krijuar  një jetesë normale është emigrimi jashtë Shqipërisë. Kjo është arsyeja e braktisjes së pjesës më të madhe  të fshatrave shqiptare. Kryesisht janë të rinjtë ata që ikin të parët. Më pas vijnë edhe grupmoshat e tjera  që ndjekin fëmijët e tyre. Sigurisht një pjesë vazhdon që të qëndrojë në fshat duke u marrë me  ekonominë bujqësore, e cila për nga teknologjia dhe zhvillimi i ngjan asaj të 500 viteve më parë.

Zonat rurale vazhdojnë të mbeten zonat më të varfëra të vendit. Kjo vlen edhe për ato që ndodhen edhe disa pak kilometra larg Tiranës.  Ndërkohë statistikat zyrtare për mënyrën e jetesës në fshat, apo për mënyrën sesi arrijnë të mbijetojnë ekonomikisht këta njerëz,  janë thuajse inekzistente. Për qeverisjen aktuale, merret e mirëqenë se nëse  banon në fshat je automatikisht  i vetëpunësuar në bujqësi. Kjo gjë bëhet për të fshehur shifrat e vërteta të papunësisë në zonat rurale, të cilat në të kundërt do të ishin shumë të larta. Duke i konsideruar  si të ‘vetëpunësuar’, qeverisja qendrore dhe lokale nuk u paguan atyre ndihmë ekonomike, sic ndodh me banorët e tjerë të zonave urbane dhe suburbane. Ky është një nga faktorët kryesorë të varfërimit të fshatit në të gjitha aspektet e tij. Pa harruar këtu që në fshat jeton ende  gjysma e popullsisë shqiptare. Qasja e deritanishme, praktikisht, nuk merr në konsideratë situatën e rëndë të mbi 40% të popullsisë së vendit.

Për qeverisjen aktuale ka pak rëndësi  nëse këta ‘të vetëpunësuar’ në bujqësi kanë paguar sigurime shoqërore, apo shëndetësore, apo sesa do t’u llogaritet pensioni, kur të arrijnë moshën e përcaktuar nga ligji për sigurimet shoqërore. Kjo gjë i bën këta prindër të zonave rurale të jenë të varur ekonomikisht nga fëmijët e tyre në emigracion. Por këta të fundit po sjellin gjithnjë e më pak të ardhura te familjet e tyre në atdhe. Qeverisja aktuale ka shumë pak të dhëna apo informacion përsa i përket aktivitetit ekonomik në fshat, papunësisë ndërmjet të rinjve, burrave apo  grave si dhe aktiviteteve të tjera ekonomike rurale, që nuk kanë të bëjnë me bujqësinë. Shumë pak dihet edhe për blegtorinë, e cila përfshihet tek fjala “e përgjithshme” bujqësi. Të flasësh sot në zonat rurale për agro-turizëm, apo ‘ekonomi të gjelbër’ do të thotë të kesh kaluar një industrializim të rëndë, apo të kesh harruar përdorimin e plehërave kimikë, apo pesticideve në bujqësi.

Ajo që po zhvillohet aktualisht është agro-turizmi i aventurës, shumë pak lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm. Sidoqoftë ka shumë pak informacion dhe statistika për të punësimin e të rinjve në zonat rurale. Kjo si nga statistikat zyrtare, apo edhe ato ndërkombëtare. Shumica e ekspertëve ndërkombëtare preferojnë të intervistojnë (dhe e kanë më të lehtë këtë gjë), emigrantët shqiptarë në kampet e azilit të Gjermanisë, Italisë apo Greqisë, apo të vijnë të nxjerrin statistika për të rinjtë që banojnë disa kilometra larg Tiranës. Pa përmendur këtu zonat e thella malore, ku mbizotëron një kaos i vërtetë me të dhënat. Në shumë sondazhe të njëpasnjëshme, gjatë kohëve të fundit, më shumë se 43 përqind e të rinjve të intervistuar janë shprehur që qëllimi i tyre kryesor është që të emigrojnë, ndërkohë që 24% të tjerë janë shprehur se një nga qëllimet e tyre është edhe emigrimi.

Kjo do të thotë që në tre të rinj shqiptarë, dy duan që të emigrojnë, me pak diferenca midis burrave dhe grave. Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Punësimin (ILO) tre faktorët kryesorë që i shtyjnë të rinjtë shqiptarë që të emigrojnë janë: për të gjetur një punë, për një status më të mirë ekonomik si dhe për arsye arsimimi. Arsyet ekonomike përbëjnë dhe arsyet mbizotëruese prapa qëllimeve të emigrimit për të rinjtë shqiptarë. Një standart më i mirë jetesë në vendin e destinacionit, mundësi më të mira punësimi dhe mundësinë për të nisur ndoshta dhe një biznes të ri. Ndoshta dhe mundësia për një arsimim më të mirë për 16% prej tyre.

Ndonëse vendet evropiane nuk mirëpresin më emigrantë për arsye ekonomike, të rinjtë shqiptarë janë të vetmit emigrantë që emigrojnë për arsye ekonomike, krahas atyre sirianë dhe afganë që ikin për shkak të luftës. Megjithëse statistikat tregojnë që të rinjtë e pashkolluar janë më të prirur për të emigruar sesa të rinjtë me diplomë universitare, sërish shifrat e emigrimit të të rinjve të shkolluar janë alarmante dhe arrijnë në 34% të tyre. Gjithashtu kur një i ri është i papunësuar është edhe më i interesuar për të migruar sesa ato që janë të punësuar.  Dhe gjetja e një pune në fshat është një mision thuajse i pamundur, duke sjellë që zgjidhja e vetme për të rinjtë të jetë emigrimi.

*Autori është kandidat për Deputet i Partisë Demokratike në  rrethin e Tiranës, Nr. 36

Artikulli paraprakSpaho me fermerët: Me subvencionet për prodhimin dhe investimet në infrastrukturë, shpëtojmë bujqësinë nga konkurenca e importit
Artikulli tjetërKëta janë punëmbaruarit/ Drejtori i Ramës, paradite te Kadastra pasdite në laboratorin e drogës