Yuri Kim: Pres një Gjykatë të Lartë plotësisht funksionale

Yuri KIM

Të nderuar anëtarë të Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, kryetarë të Gjykatave, kancelarë të Gjykatave, anëtarë të Shkollës së Magjistraturës në Shqipëri, partnerë dhe miq të dashur. Faleminderit që keni ndarë kohën tuaj me ne sot dhe faleminderit për mundësinë që t’ju drejtohem të gjithëve ju. I vlerësoj shumë shpjegimet që ju të gjithë keni ndarë me ne në lidhje me gjendjen aktuale të reformës në drejtësi në Shqipëri.

Investimet e SHBA në sektorin e drejtësisë po japin rezultat. Më inkurajon mënyra se si gjykatat në të gjithë vendin kanë përmirësuar punën e tyre të përgjithshme, se si Gjykata e Lartë u organizua për të trajtuar numrin në rritje të çështjeve të prapambetura, dhe se si Shkolla e Magjistraturës krijoi një program për edukimin e brezave të ardhshëm të profesionistëve ligjorë.

Siç kam thënë më parë: Reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, nuk është e lehtë dhe as nuk është e përsosur. Ky është një udhëtim që do kohë dhe përpjekje të qëndrueshme. Nuk ka asnjë alternativë: reforma në drejtësi është jetike për suksesin e Shqipërisë si shtet, jetike për suksesin e saj si ekonomi, dhe jetike për të pasur sukses në krijimin e mundësive për popullsinë e saj të zgjuar, energjike dhe punëtore. Kjo është një shtyllë e rëndësishme për të realizuar të ardhmen e Shqipërisë në Europë, si anëtare e familjes së demokracive evropiane. Ashtu si me çdo sipërmarrje gjithëpërfshirëse, e vetmja mënyrë për të arritur atje ku po shkojmë është njëri hap pas tjetrit, duke hedhur një këmbë pas tjetrës.

Më lejoni të jem e qartë: SH.B.A. e mbështet plotësisht reformën në drejtësi të Shqipërisë dhe aspiratat e anëtarësimit të saj në BE. Ne jemi me ju krah për krah. Unë jam angazhuar personalisht si përfaqësuese e Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të bërë gjithçka që mundem për të promovuar këtë reformë si një mjet për të arritur një të ardhme më të drejtë, më demokratike dhe më të sigurt për shqiptarët. Projekti “Drejtësi për të gjithë” ka qenë njëri prej angazhimeve të shumta të SHBA-ve për të mbështetur reformën në drejtësi të Shqipërisë. Mbështetja jonë do të vazhdojë.

Ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju për të siguruar që sistemi gjyqësor shqiptar të jetë tërësisht i plotësuar dhe funksional. Duam atë që do populli shqiptar: që njerëzit që janë në karrigen e gjykatësit ose që përfaqësojnë prokurorinë të jenë gra dhe burra me integritet dhe mirëbesim, dhe që i shërbejnë popullit dhe i shërbejnë shtetit të së drejtës – jo interesave ngushta ose kriminale. Ne duam ligje dhe sisteme që janë krijuar për të kufizuar mundësitë për korrupsion dhe institucione të ngritura që të mund të parandalojnë efektivisht korrupsionin e nivelit të lartë, të luftojnë krimin e organizuar dhe të ndëshkojnë autorët e këtyre.

Do të vazhdojmë me ndihmën për zvogëlimin e numrit të madh të dosjeve të prapambetura të Gjykatës së Lartë, duke vijuar programin e nisur për këtë qëllim nga “Drejtësi për të gjithë”. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me SPAK për t’u siguruar që prokurorët dhe hetuesit e tij të jenë të trajnuar mirë, të pajisur mirë dhe shumë të efektshëm. Do të vazhdojmë të mbështesim procesin e vetingut për të ndërtuar besimin që sistemi shqiptar i drejtësisë siguron vërtet drejtësi për të gjithë.

Përmes Akademisë së re të Transparencës SH.B.A.-Shqipëri, ne do të përmirësojmë transparencën dhe llogaridhënien në sektorin publik dhe privat, duke lidhur së bashku grupet e interesit për të çuar më tej Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE. Akademia do të promovojë etikën dhe zhvillimin haptas të biznesit dhe politikës dhe do të krijojë kapacitetin për të rritur standardet në përputhje me Bashkimin Evropian. Në këtë mënyrë, Akademia do të sigurojë aftësinë për të bërë biznes në mënyrë më transparente, do të ketë funksione vëzhguese dhe mbikëqyrëse, si dhe mjete për rritjen e llogaridhënies.

Ndërkohë që janë bërë arritje në përmirësimin e funksionalitetit dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, të gjithë e dimë që puna nuk ka mbaruar. Ne vazhdojmë me mbështetjen tonë për institucionet e vlerësimit kalimtar (vetingut) përmes pranisë së vëzhguesit ndërkombëtar të SHBA dhe rolit të Ambasadës Amerikane në Bordin e ONM, si garantues të procesit. Ne monitorojmë përparimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe i nxisim ato të qëndrojnë të forta kundër trysnisë ekstreme për t’i përkulur dhe për t’i përfshirë në korrupsion e veprimtari kriminale, që me siguri do të minonte të ardhmen e ndritur të Shqipërisë.

Reforma në drejtësi duhet të jetë efektive dhe ka nevojë gjithashtu për mbështetës; persona të cilët sigurohen që këto përpjekje të jenë të suksesshme. Shqipëria ka nevojë për njerëz si ju që të jenë përkrahësit e saj. Që të ngrihen, të marrin vendime të vështira dhe të ndëmarrin veprime. Që të bëhen nëpunës publikë të përkushtuar, që e fitoni pozicionin tuaj të besimit publik përmes angazhimit të përditshëm dhe veprimeve etike.

Prandaj sot kërkoj përpjekjen dhe angazhimin tuaj të ripërtërirë, për t’u siguruar që përparimi i deritanishëm të mos lëkundet dhe që ne të vazhdojmë këtë përpjekje së bashku, krah për krah, për ta kryer reformën në drejtësi. Shkalla tjetër në këtë udhëtim përparues është përpara syve tanë dhe unë pres të kemi një Gjykatë të Lartë plotësisht funksionale dhe qasje të përshpejtuar, të barabartë në drejtësi në të gjithë vendin.

Në fund, do të doja të falënderoja Anne Trice dhe ekipin “Drejtësi për të Gjithë” për punën e tyre të jashtëzakonshme gjatë pesë viteve të fundit. Faleminderit secilit prej jush për përkushtimin dhe angazhimin tuaj. Kjo veprimtari feston këto arritje dhe vlerëson përpjekjet tuaja. Përkundër kaq shumë sfidave, mund të themi se reforma në drejtësi në Shqipëri ka bërë një rrugë të gjatë dhe se vendi juaj është në një pozicion më të mirë tani krahasuar me kohën kur e nisëm këtë. Ne jemi krenarë që jemi me Shqipërinë në këtë rrugëtim.
Faleminderit!

Artikulli paraprakFoto/ Vangjush Dako drejton fushatën e PS në Durrës, ruhet nga forca të shumta policore
Artikulli tjetërProtesta ndaj monstrës së Bashkisë: Ka vrarë mbi 14 mijë qen