“Neymar, historia sekrete”. Ky ishte titull i madh i përzgjedhur nga prestigjiozja franceze “L’Equipe”, që zbulon arsyen pse dështoi transferimi i yllit brazilian nga Barcelona tek PSG gjatë merkatos së verës. Një rindërtim i detajuar i fakteve nga kjo e përditshme shpjegon se, marrëveshja dështoi jo vetëm për arsye ekonomike.
Sipas “L’Equipe”, babai i Neymar është takuar me drejtuesit më të lartë të klubit parizien për të hedhur të zezën mbi të bardhë, në një kontratë që parashikonte 35 milionë euro pagë vjetore për futbollistin si dhe shlyerjen e një borxhi të majmë rreth 45 milionë euro ndaj autoriteteve tatimore në Spanjë. Nëse për shifrën e pagës dhe klauzolën 190 milionë euro që do të shkonte në arkën e Barcelonës presidenti i PSG, Al Khelaifi ishte darkod, kërkesa për të paguar edhe gjobën ndaj tatimeve u konsiderua e papranueshme. Më konkretisht palët janë takuar dy herë, në muajin prill në Sao Paulo të Brazilit dhe një herë tjetër në Ibiza.
Neymar që javën e kaluar zyrtarizoi rinovimin e kontratës me Barcelonën deri në vitin 2021, ishte përzgjedhur nga drejtuesit e kampionëve të Francës si ylli i ri i skuadrës pas largimit të Zlatan Ibrahimoviç. Në fakt zgjedhja e parë për emirin Al Thani ishte Mesi, një ëndërr që kishte sfumuar shumë shpejt, pasi përfaqësuesit e argjentinasit e bënë që në fillim të qartë se nuk do të largohej nga Barcelona.