• “Fjala e dhënë dhe fjala e mbajtur, themeli i kulturës së re politike.” Basha takon qytetarët e Elbasanit: Më 25 prill, votoni nisjen e një kulture politike europiane.
• Basha elbasanllinjve që e pritën tek tuneli: Zotimet tona do të mbahen. Mbajtëm fjalën për tunelin e Elbasanit, për vizat, për NATO-n. Njësoj mbajmë fjalën për Shqipërinë europiane, paga e pensione dinjitoze.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë rrugës për në qytetin e Elbasanit, është pritur nga rreth 300 makina me qytetarë dhe simpatizantë në hyrje të tunelit të Krrabës. Në fjalën përshëndetëse, Basha falënderoi për mbështetjen e jashtëzakonshme që po i bëhet ndryshimit më 25 prill dhe në një vend si tuneli i Krrabës, i cili simbolizon fjalën e mbajtur në politik dhe që e tillë do të jetë në kulturën e re politike me qeverisjen e ardhshme.
Fjala e plotë e kryetarit të PD tek tuneli i Krrabës
Lulzim Basha: Me dhjetëra herë, ndoshta me qindra herë gjatë këtyre muajve të fundit jam ndodhur këtu në hyrje të tunelit të Kërrabës, të portës që praktikisht ka shkrirë në një Tiranën dhe Elbasanin. Vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja, qytetarë të Elbasanit ju falënderoj që takimet e sotme i mundësoni me këtë pritje të jashtëzakonshme këtu në hyrje të kësaj vepre. E di dhe e kam ndjerë vlerësimin tuaj, vlerësimin që vazhdon sot e kësaj dite në çdo shtëpi elbasanllinjve dhe banorëve të qarkut të Elbasanit por jo vetëm por edhe të Korçës, natyrisht edhe të Tiranës, edhe të Durrësit. Për këtë vepër të jashtëzakonshme që me të vërtetë shndërroi shumë dimensione të jetës së përditshme të jetës së qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë. Ndaj sot nuk kam ardhur këtu t’ju flas për diçka për të cilën shpesh herë jeni ju që keni shprehur vlerësimet tuaj, por kam ardhur t’ju jap një mesazh.
Mesazhin se sa e rëndësishme është fjala e mbajtur në politik dhe në kulturën politike të re që do të themelojmë së bashku me 25 prill me votën masive për ndryshimin e Shqipërisë. Fjala e dhënë dhe fjala e mbajtur duhet të jenë themeli i kësaj politike, i kësaj politike të re e cila siç afroi Tiranën me Elbasanin duhet të afrojë Shqipërinë me Europën. Sepse fjalët e një njeriu me përgjegjësi publike, fjalët e një politikani nuk janë fjalë të zakonshme, nuk mund të jenë tullumbace. Kur del ajo fjalë merr një vlerë e nuk mund të trajtohet si e pavlerë, si e harruar, si e shkelur. 8 vite me radhë keni dëgjuar premtime pa fund, 8 vite ma radhë ju dhe të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe të Shqipërisë jeni përballur me dështime pafund. Jeni ju në fund të fundit që e paguani faturën e fjalëve boshe, e tullumbaceve elektorale që hidhen në fushatë dhe braktisen pas fushate. Janë qytetarët ata që kërrusen nga barra e padurueshme e kulturës politike të premtimeve që kthehen në mashtrime vetëm për të marrë votat.
Ndaj para që gjithash ndodhem përpara kësaj vepre , këtij tuneli për t’ju thënë se me 25 prill duke votuar Partinë Demokratike, duke votuar numrin 9, duke votuar Aleancën për Ndryshim ju do të votoni për ndryshimin e kulturës politike në vend. E duam Shqipërinë si gjithë Europa apo jo? E pra, gjëja e parë që duhet të bëjmë është të kemi një komunikim midis politikanëve dhe qytetarëve ku fjala boshe, ku premtimet boshe, ku tullumbacet elektorale të marrin fund. Fjala e dhënë duhet të jetë fjala e mbajtur. Fjala e dhënë për tunelin e Elbasanit në vitin 2009 ku pata nderin të kryesoja listën për Qarkun e Elbasanit është fjalë e mbajtur. Fjala e dhënë për heqjen e vizave për shqiptarët që e bëmë realitet të gjithë së bashku është fjalë e mbajtur.
Fjala e dhënë për Shqipërinë në NATO është fjalë e mbajtur. Dhe programi ynë për një Elbasan dhe për një Shqipëri që do të përjetojë një zgjim ekonomik kombëtar që do të prek jetën e çdo familje, me vende pune, me investime të huaja, me rritje pagash, me arsim dhe kualifikim të denjë për të rinjtë, me pensione dinjitoze për pensionistët tanë. Programi ynë për ta afruar Shqipërinë me Europën sepse nuk mund të ketë Shqipëri në Europë me rroga 200 euro, po nga ana tjetër afrimi me Europën është vetëm një nga çelësat për ta bërë ekonominë tonë të fuqishme, të artë për të siguruar mirëqenie, për të siguruar dinjitet dhe paga më të larta, të ardhura më të larta për të gjithë, për sipërmarrjen e vogël, për rinin, të punësuarit, fermerët shqiptarë.
Ndaj jemi bashkë. 25 prilli është për ndryshimin. Për ndryshimin e vërtet që nis me një parim europian që në 25 prill duke votuar për Partinë Demokratike, duke votuar për Aleancën për Ndryshim, duke votuar për numrin 9, ne do ta kthejmë në një parim dhe një kulturë të re politike edhe në Shqipëri: fjalë e dhënë, fjalë e mbajtur. Programi ynë, zotimet tona do të jenë një për një të zbatueshme dhe të realizueshme nga dita e parë e votës tuaj. Le ta bëjmë këtë bashkim gjigand forcash, shpirtrash, zemrash, ëndrrash dhe ambiciesh, energjinë për ndryshimin e vërtet.
Bashkë për ndryshimin.
Shqipëria Fiton!
Elbasani Fiton!
Fitore!